Boris Johnson është nën akuzë dhe rrethi po shtrëngohet orë pas ore. Zbulimet e turpshme për kryeministrin pasojnë njëri-tjetrin në Londër, me shumë gjasa të orkestruara nga ish-këshilltari i tij, Dominic Cummings, i ashtuquajturi “Rasputin”, që ishte arkitekti i “Brexit”-it dhe i cili, pasi u zhduk në fund të vitit të kaluar, tani po kërkon një hakmarrje të fortë.
Mëngjesin e të hënës, “Daily Mail”, tabloidi më i lexuar në Mbretërinë e Bashkuar, doli me një histori shpërthyese: vjeshtën e kaluar, Boris thuhet se ka thënë në një takim qeveritar, se ai preferonte të “shihte mijëra trupa të grumbulluar”, për shkak të pandemisë, sesa të detyronte një izolim të vendit.
Kryeministri i quajti zbulimet “mbeturina” dhe dërgoi ministrat e tij për të mohuar gjithçka: por më pas BBC, televizioni ITV dhe madje “The Times”, morën konfirmim nga burime të tjera, ndoshta me “sugjerimin” e Cummings.

Por kjo nuk është e gjitha: Boris është gjithashtu nën presion për shkak të rinovimit shumë të shtrenjtë të banesës së tij personale në Downing Street, i dëshiruar fuqimisht nga e dashura e tij, Carrie Symonds.
Shtypi shkruan se Partia Konservatore do të paguante faturën prej 58,000 paund (rreth 70,000 euro), sepse Boris nuk mund të përballonte një shpenzim të tillë nga xhepi i tij: nëse po, do të ishte shkelje e kodit ministror.
Në të vërtetë, Partia Laburiste, tani po bën thirrje për një hetim zyrtar. Johnson ka thirrur një takim qeveritar për sot, në të cilin do të thotë se duhet të “përqendrohemi plotësisht në përparësitë e njerëzve”: sipas mendimit të tij, të gjitha këto histori nuk janë asgjë tjetër veç “thashetheme”, që nuk kanë interes për opinionin publik.
Por në realitet, këto janë shenjat e para të një dëmtimi të imazhit: konservatorët kanë rënë në sondazhe, nga 45 në 40%(me Laburistët në 37%) dhe kjo në prag, javën e ardhshme, të një raundi të rëndësishëm të zgjedhjeve administrative.
Problemi për Boris, është angazhimi në betejë me Cummings, një karakter i përcaktuar nga ish-kryeministri David Cameron, si “një psikopat në karrierë”.

Ish-“Rasputin”, i cili pretendon të ketë regjistrime kompromentuese në dorë, nuk do të ndalet në asgjë: dhe duket se synon të shkaktojë rënien e Johnson. Një teori konspiracioni që qarkullon, është se Cummings do të ishte krahu i armatosur i Michael Gove, njeriu që është ‘de facto’ zv.kryeministër dhe që do të synonte të zëvendësonte Johnson në Downing Street.
Gove dhe Cummings kanë qenë aleatë të lashtë që para referendumit për “Brexit”-in. Paradoksi është që deri tani, Boris dukej se ishte në majën e valës: suksesi i vaksinimeve, lajme premtuese në frontin ekonomik, madje edhe angazhimi kundër Superligës Europiane në futboll, e kishte rritur popullaritetin e tij.
Por mbase kjo është arsyeja pse kundërshtarët e tij të brendshëm vendosën se ishte koha për të goditur. Johnson është një mace me një mijë jetë dhe i ka mbijetuar shumë pengesave.
Por nëse do të tregohej se ai ishte përgjegjës për mijëra vdekje për hezitimet e tij në luftën kundër Covid 19, pozicioni i tij do të bëhej i vështirë. Beteja që ai po bën tani është për mbijetesën e tij politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje