Politike

Rama-Bashës: Bëre sa munde, prano humbjen dhe bashkëpunojmë që kjo dekadë të hyjë në histori

Në një fjalim 30 minutash, kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama që për herë të parë në historinë e pluralizmit fitoi mandatin e tretë qeverisës, ka bërë thirrje për bashkim të politikës për ta futur Shqipërinë në një dekadë historike për vendin.

Në një fjalim përbashkues, ku njohu si palë kundërshtare të vetme vetëm Partinë Demokratike, Edi Rama foli për objektivat e tij që disa herë e theksoi se do të shtrihen për katër vitet e ardhshme të  qeverisjes.

Rama foli për bashkim dhe jo ndasi, dhe një epoke të re bashkëpunimi më opozitën.  Sepse sipas tij, politika siç ka ndarë, mund të bashkojë, “sepse politika mund t’i bëjë të dyja edhe luftën edhe paqen edhe dhunën edhe punën edhe sherrin edhe mirëkuptimin edhe përçarjen edhe bashkimin”

Rama mikloi jo pak Lulzim Bashën ku nën kohën ethshme dhe fillimin e zërave të parë kritike që kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të PD, ai tha se opozita aktuale nuk mund të bënte dot më shumë.

Sepse, sipas kryeministrit të mundësh PS sot është njësoj si të mundësh Interin e Murinjos, ndërsa nuk e kurseu edhe një batutë me Juventusin.

“Basha dhe PD bënë fushatën më të mirë në historinë  e humbjeve. Ishin më skuadër se në gjitha herët e tjera. U them se më shumë se kaq nuk bënin dot, madje bënë më shumë sesa mund të bënin normalisht se të mundësh PS është e vështirë është si të mundësh Interin e Murinjos, Milanin, Barcelonën nuk po flas me Juventusin se nuk ishte viti i tij, por ekskluziv i socialistëve”, – tha ai. Ndaj dhe mesazhi i tij për Bashën ishte i drejtpërdrejtë.   

“Mesazhi im i sinqertë për Bashën është ky; Prano humbjen me dinjitet dhe me bindjen që nuk bëre sa deshe, por gjithë sa munde. Mos pranimi i kësaj humbje aspak turpëruese e zvogëlon përmasën e rezultatin që PD mundi të arrinte te dielën përballë një makinerie fitore si PS.

Ne jemi më të mirët, ju jeni më të mirët pas nesh dhe ky është fakt. Faktet pranohen dhe jo të luftohen. Nuk është e drejta jonë që të vendosim se si do ta lexoni rezultatin tuaj.

Nuk dihet nëse do jetë Basha ai që do ta drejtojë PD në 4 vitet e ardhshme, por me apo pa Bashën, PS do ta fitonte edhe këtë betejë”.  

Rama e konsideroi fitoren më të vështirë, më të madhe e më të bukur. Ai theksoi se fitorja duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve.

“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS-së.  Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme dhe atyre që kanë zgjedhur 12 dhe kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë.

Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm, me fuqinë e jashtëzakonshme për ambicjen për Shqipërinë dhe një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Një përqafim të madh të gjithëve ju, këtu edhe kudo, jam sot krenar si asnjëherë për ju, për çdo vajzë e djalë, grua e burrë, që u angazhua si patronazhist, koordinator edhe dha më të mirën për skuadrën tonë, kampione në fuqi, kampione përsëri.

Por më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, që kaluan një provë të madhe karaktere në këtë moment kaq sfidues për Shqipërinë. Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore. Fitoi pakënaqësia jonë për gjërat që nuk shkojnë si një shtysë për ti zgjidhur hallet duke punuar më shumë, jo duke u ankuar. Fitoi forca më e madhe demokratike qytetare politike, PS. Kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve që kemi përpara. Ta bëjmë natën ditë me punë të palodhur për Shqipërinë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se kjo është shumica më e fortë qysh prej vitit 1992.

“Por nëse arrijmë t’i bashkojmë forcat me PD për të gjitha ato qëllime dhe objektiva që nuk na ndajnë por na bashkojnë, kjo dekadë dy hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëmë për Shqipërinë por edhe për çfarë nuk vazhduam të bëjmë kundër interesit të saj dhe qytetarëve të vendit pa dallim. Dy dasitë e mëdha që vazhdojnë ta bëjnë të rrëshqitshme tokën në këmbët e Shqipërisë, pa këto dy dasi janë tmerrësisht të vështira për tu kapërcyer. E para është dasia e hapur qysh në luftën e dytë botërore, komunistë edhe nacionalistë. Si një mallkim që na ndjek nga mbrapa që i përçan shqiptarët deri në fshatin më të largët. Unë kam lindur shqiptar nuk kam lindur socialistë, dhe për mua demokratët janë shqiptarë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë