Futboll

Nga “klasikja” e Shqipërisë te sfida e mbijetesës, javë vendimtare në Superiore

Për ta ndezur edhe më shumë Tirana-Vllaznia, apo “klasiken e Shqipërisë”, siç e konsiderojnë të gjithë, drejtuesit e klubit shkodran kanë vendosur një shpërblim financiar për skuadrën. Në anën tjetër, trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka theksuar në konferencë se një fitore e mundshme e fut skuadrën e tij në shinat e garës për titull.

Në “Selman Stërmasi” pritet një ndeshje e luftuar. Tirana do të luajë gjithçka për gjithçka, sepse në rast fitoreje mund të afrohet në 4 pikë me Vllazninë kryesuese, ndërkohë që Partizani ka një provë të vështirë në fushën e Laçit. Mund të jetë një javë në favor të kampionëve në fuqi, të cilët së pari duhet të bëjnë detyrën dhe për këtë me siguri do të luajnë në sulm.

Nga një ndeshje mes Laçit dhe Partizanit. Gazeta Si, 28 prill 2021

Partizani shkon në fushën e Laçit, ku pak kohë më parë u eliminua me polemika nga Kupa e Shqipërisë dhe orët e fundit nuk kanë munguar akuzat nga dy kampet. Trajneri Ilir Daja pritet të luajë me formacionin fitues të dy javëve të fundit, me objektiv minimal barazimin në këtë transfertë.

Pretendentja tjetër për titull, Teuta, luan në Elbasan me Kukësin e dalë nga çdo lloj objektivi. Kjo nuk do të thotë se durrsakët do ta kenë rrugën të hapur, por motivimi i tyre në raport me kuksianët është shumë më i madh për të marrë 3 pikët. Një tjetër sfidë shumë e rëndësishme e kësaj jave është ajo mes Skënderbeut dhe Bylisit në Korçë. Për skuadrën e Memellit është “treni i fundit” i mbijetesës, një përplasje rivalësh që nuk duhet humbur. Apolonia pret Kastriotin në Fier.

Superiore, java e 30-të
Sot, ora 13:00
Apolonia-Kastrioti
Skënderbeu-Bylis
Ora 16:00
Tirana-Vllaznia
Kukësi-Teuta
Laçi-Partizani


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë