Politike

Drejt kutive shkuan më shumë votues, por pjesëmarrja mbeti e ulët

Masiviteti me të cilin qytetarët iu drejtuan qëndrave të votimit paraditen e 25 prillit krijoi perceptimin e një pjesëmarrjeje të lartë, por shifrat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar të gjitha kutitë e votimit tregojnë se ajo është më e ulta në të gjithë historikun e zgjedhjeve shqiptare, që nga viti 1991.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numri total i fletëve të votimit të hedhura në kuti në 5199 qendra votimi, në krahasim me 2017-ën kanë votuar rreth 48 mijë qytetarë shqiptarë më shumë. Por, kjo shifër nuk shkon as sa gjysma e votuesve për herë të parë, që ishte rreth 107 mijë.

Më konkretisht më 25 prill kanë votuar 1 milionë e 666 mijë e 253 qytetarë shqiptarë nga 3 milionë e 588 mijë e 869 votues në total. E përkthyer në përqindje, më 25 prill kanë votuar 46.31 për qind e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote. Kjo shifër është pothuajse 0.5 pikë përqindjeje më pak se pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2017-të, që konsiderohen zgjedhje me pjesëmarrje të ulët historike në vend.

Në 2017 votuan 1 milionë e 613 mijë e 960 qytetarë, por numri total i votuesve ishte 3 milionë e 452 mijë e 324 persona, ose 136 mijë e 545 votues më pak se në listat zgjedhore të 25 prillit dhe e përkthyer në përqindje, katër vite më parë në zgjedhje votuan 46.77 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Historiku i pjesëmarrjes në zgjedhje

Zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 kishin në lista 1 milion e 984 mijë e 993 votues dhe të drejtën e votës e ushtruan 1 milion e 763 mijë e 568 prej tyre, ose e përkthyer në përqindje, 98.92 për qind.

Një vit më vonë, në zgjedhjet që sollën Partinë Demokratike në pushtet pjesëmarrja ishte 91.5 për qind. Në zgjedhjet e 1996-ës, numri i votuesve ishte rritur në rreth 2.2 milionë, por pjesëmarrja ra në 89.08 për qind.

Në zgjedhjet e 1997-ës, pjesëmarrja ra edhe më tej në 72.56 për qind. Katër vite më vonë numri i votuesve total u rrit në rreth 2.5 mln votues, por pjesëmarrja në zgjedhjet e 2001 ra sërish, duke u regjistruar 54.95 për qind.

Zgjedhjet e vitit 2005 shënojnë një rekord edhe më negativ, pasi për herë të parë në zgjedhje nuk morën pjesë as gjysma e shqiptarëve, duke shënuar pjesëmarrjen në 48.73 për qind.

Në 2009 dhe 2013 pjesëmarrja shënon një rritje të lehtë, përkatësisht me 50.77 për qind dhe 53.31 për qind e listës totale të votuesve.

Por, në zgjedhjet e 2017-ës thyhet rekordi i vitit 2005 dhe shënohet pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje me 46.77 për qind. Ky rekord do të qëndronte në fuqi vetëm 4 vite, për t’u thyer nga 25 prilli…

E shpjeguar në numra, votuesit realë kanë rënë vazhdimisht ndër vite. Nëse në 1991 lista e zgjedhësve ishte rreth 2 mln persona, votonin rreth 1.75 mln prej tyre. Në 2021 lista e zgjedhësve është rritur me 2.5 herë, duke shkuar në rreth 3.6 mln vetë, ndërsa votuesit në krahasim me 1991 kanë rënë në 1.66 mln banorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë