Futbollin e fushës në Shqipëri e kalojnë shpesh në plan të dytë episode skandaloze që ndodhin në stadiumet tona. Sot, në sfidat mes rivaleve për titull në Superiore, janë regjistruar dy ngjarje të shëmtuara. Më e rënda ishte ajo në Laç, ku zëvendëstrajneri i Partizanit, Ilir Bozhiqi, është goditur në kokë me një send të forte në fund të pjesës së parë.
Nga tribuna qendrore e stadiumit të Laçit janë hedhur sende të forta dhe një prej tyre ka kapur Bozhiqin. Pjesëtari i stafit teknik të të kuqve, njëkohësisht edhe pjesë e stafit të Kombëtares, është ulur në tokë për disa momente dhe më pas ka marrë ndihmën mjekësore. Në Laç situata ishte e tensionuar që para nisjes së ndeshjes dhe me këtë episod që ka ndodhur, në një futboll normal ndeshja duhej të ishte ndërprerë, kurse në Shqipëri vazhdon loja. Ndeshja përfundoi 2-2.
Një lloj tjetër skandali ka ndodhur në kryeqytet, ku ndeshja Tirana-Vllaznia u ndërpre për 16 minuta, pasi nuk kishte autoambulancë në stadium. Ajo që ishte në “Selman Stërmasi” para nisjes së ndeshjes po transportonte dy futbollistë të dëmtuar në spital dhe dy skuadrave iu desh të prisnin rikthimin e saj. Sa i takon ndeshjes, Tirana fitoi 1-0, me gol të shënuar nga Batha.
Ka fituar ndërkohë Teuta ndaj Kukësit dhe pas ndeshjeve të javës së 30-të, durrsakët rikthehen të parët në renditje. Teuta kryeson me 55 pikë, e ndjekur nga Partizani me 54 dhe Vllaznia 53 pikë. Tirana ndërkohë ndez shpresat e titullit, pasi është 6 pikë larg kreut.
Superiore, java e 30-të
Apolonia-Kastrioti 2-1
Skënderbeu-Bylis 2-1
Laçi-Partizani 2-2
Kukësi-Teuta 0-2
Tirana-Vllaznia 1-0

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje