Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ditën e zgjedhjeve votoi në Shqipëri për kandidatin e pavarur (por që përfaqësonte VV-në), Boiken Abazi, ka uruar përmes një postimi në Facebook kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare.
“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”, shkruan Kurti.
Në të njëjtën kohë, kryeministri i Kosovës ka kërkuar që të sqarohet cdo paqartësi lidhur me zgjedhjet duke iu referuar me gjasë kontestimit që Boiken Abazi i ka bërë disa fletëve të shpallura si të pavlefshme nga komisionerët e dy forcave kryesore politike në vend.
“Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.
Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje