Futboll

Video/ PSG krijon iluzione, Siti e ndëshkon dhe Guardiola sheh finalen

Për një pjesë loje u duk se PSG-ja ishte ajo që eliminoi Barcelonën dhe Bajernin, ndoshta mendoi se ishte me një këmbë në finale, por ishte një ilizion i pamëshirshëm. Mançester Siti qëndroi gjatë duke studiuar dhe në pjesën e dytë përmbysi gjithçka nga 1-0 në 1-2, me golat e De Bryjne dhe Mahrez, duke shfrytëzuar edhe dy gabime të francezëve. Guardiola sheh finalen në sfond, por jo gjithçka ka përfunduar.

Zotërimi i topit gjatë 10 minutave të para nga anglezët nuk shërbeu për asgjë. PSG-ja krijoi panik që në daljen e parë, kur Nejmar vuri në provë Edersonin, ndërsa në minutën e 15-të kaloi në epërsi. Kros nga këndi i Di Marias dhe gjuajtje e saktë me kokë e Markuinjos. Francezët patën edhe raste të tjera për të dyfishuar, veçanërisht me Paredes, shumë i dobishëm me depërtimet në zonën kundërshtare dhe në mbulim.

PSG-ja ka ide dhe shpejtësi, Nejmar gjendet në çdo cep të fushës, ndërsa Siti vuan për të mbajtur topin. Rastet e vetme të krijuara nga Silva dhe Foden vijnë nga gabimet e PSG-së. Në pjesën e dytë skuadra e Guardiolës është ndryshe, edhe pse fillimisht e ka të vështirë të shkojë në zonën e rreptësisë.

PSG shkon me lehtësi para portës së anglezëve dhe nga një veprim i bukur i Nejmarit krijohet një rast i artë për Verratin, që nuk arrin të devijojë drejt portës krosin. De Bryjne tenton golin me akrobaci, por topi shkon mbi tra. Belgu barazon në minutën e 64-t, pasi lëshon një top në zonë dhe askush nuk e ndal, as portieri Navas.

Mançester Siti kalon në avantazh 20 minuta para fundit me një goditje dënimi të ekzekutuar nga Mahrez. Barriera e francezëve hapet dhe Navas befasohet sërish. Ndëshkimi i Gueje me karton të kuq për një faull të rëndë ndaj Gundogan u jep fund shpresave të PSG-së për të marrë rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe shpresat e kualifikimit tashmë janë minimale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë