Disa orë pas ndeshjes në Laç, që përfundoi 2-2 dhe ku u godit në kokë trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, klubi i Partizanit ka reaguar zyrtarisht, duke dënuar dhunën që vinte nga tribunat dhe duke i bërë thirrje FSHF-së dhe Policisë së Shtetit për të marrë masat e nevojshme.
Në deklaratën për shtyp të klubit të kuq theksohet se u luajt futboll në kushte ekstreme, duke mos pasur rregull, fair-play dhe as qytetari nga vendësit.

Deklarata e klubit Partizani
Të gjithë mezi po presim rikthimin e tifozëve në stadium, por JO KËSHTU! Partizani gjithmonë ka kërkuar të luajë brenda respektit të rregullave të mikpritjes dhe ndershmërisë sportive dhe gjithçka t’ja lërë fushës. Sot nuk ka pasur as rregull, as fair-play dhe mbi të gjitha as qytetari. Jashtë çdo etike skuadra dhe stafi ynë është fyer gjatë gjithë ndeshjes me fjalor të turpshëm dhe të papranueshëm.
Megjithëse thjesht pjesëmarrës dhe jo faktorë, në këtë moment ndjejmë përgjegjësinë të kërkojmë ndjesë ndaj të gjitha nënave e motrave, fëmijëve e të rritureve që kanë dëgjuar nëpërmjet ekranit sharjet e panumërta dhe mungesën e theksuar të etikës. Në të njëjtën kohë, përgëzojmë skuadrën dhe stafin që pavarësisht dhunës verbale konstante, tregoi karakter dhe arriti të menaxhonte një ndeshje futbolli në kushte ekstreme.
Dënojmë dhunën fizike në tribunë dhe fushë e sidomos atë që u pa në tv, goditjen me shishe në kokë në drejtim të trajnerit të portierëve, Ilir Bozhiqi. Distancohemi dhe dënojmë këto incidente që po prishin dhe mbase edhe po cënojne garën e fortë dhe të bukur që futbolli në vend po ofron këtë vit, me shpresën se episode të tilla mos tolerohen e mos përsëriten.
I bëjmë thirrje FSHF-së dhe Policisë së Shtetit të investigojnë dhe vënë para përgjegjësisë shkaktarët e këtyre akteve, si dhe të marrin të gjitha masat për aktivitetet sportive dhe shmangien e rasteve të tilla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje