Ilir Beqaj nga Partia Socialiste dhe Bardh Spahia nga Partia Demokratike dhe kreu i demokristianëve, Nard Ndoka janë emrat e njohur të politikës që kanë mbetur jashtë nga Parlamenti i ri edhe pas numërimit të votave vetjake.
Beqaj ishte renditur si i katërti në Shkodër. Vota për partinë u dha socialistëve në këtë qark 3 mandate, duke e vënë kufirin e fituesve në raundin e parë tek Benet Beci.

Pas numërimit të 411 qendrave të votimit të këtij qarku, Ilir Beqaj siguroi 3920 vota, ndërkohë që për të zhvendosur nga lista Benet Becin i nevojiteshin të paktën 10098.
“Objektivi bazë në këto zgjedhje për Partinë Socialiste ishte 4 mandate deputetësh. Ky objektiv nuk u përmbush. Dhe unë, padyshim, kam detyrimin t’i kërkoj ndjesë sot socialistëve shkodranë”, deklaroi Beqaj.
Në të njëjtën situatë ishte edhe Bardh Spahia. Ai renditej si i shtatë në listën e PD-së, që nga votat për subjekt siguroi gjashtë mandate. Lista fituese e PD mbyllej me emrin e Lodovik Hasanit. Nga vota vetjake, Spahia siguroi 7219, ndërkohë që për të ndryshuar listën i nevojiteshin 9441 vota. Nard Ndoka renditej i teti në listën e opozitës, ndërsa vota vetjake ka grumbulluar vetëm 228 të tilla.
Emrat që kanë thyer deri më tani herësin dhe do të jenë në Parlamentin e ri falë votës vetjake dhe jo të partisë janë Fatmir Xhafaj i 23-ti në listën e PS në Tiranë dhe Ornaldo Rakipi, djali i Aqif Rakipit që renditej i 30-ti po në listën e socialistëve. Nga PD herësin e ka thyer Luçiano Boçi në Elbasan dhe gjasat janë që ta thyejë edhe Agron Kapllanaj në Fier.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje