Plot 8 gola ka prodhuar 90-minutëshi i gjysmëfinales së parë në Ligën e Europës mes Mançester Junajitd dhe Romës, 6 nga të cilët u takojnë anglezëve, që kanë hipotekuar kalimin në finale pas fitores 6-2. Ishte një mbrëmje e bukur në “Old Trafford”, ku skuadra e Marash Kumbullës (në stol gjithë ndeshjen) rezistoi vetëm pjesën e parë, madje e mbylli në avantazh atë, 1-2.
Pas golit të Bruno Fernandes në minutën e 9-të, Roma përmbysi shifrat me penalltinë e Lorenco Pelegrinit dhe golin e Xhekos. Duhet theksuar se në 45 minutat e para trajnerit Fonseka iu desh të bënte tre ndërrime të detyruara për shkak dëmtimesh. Portieri Lopez, Veretu dhe Spinazola ia lanë vendin Mirantes, Vilarit dhe Bruno Peresit.
Në pjesën e dytë do të vinte “cikloni” i Mançesterit, që barazoi e më pas kaloi në epërsi me 2 gola të Kavanit. Më pas ishte radha e Bruno Fernandes të kompletonte edhe ai dopietën, ndërsa Pol Pogba dhe Grinvud realizuan golat e fundit, duke vënë edhe ata firmën e tyre në këtë fitore të thellë të “Djajve të kuq”. Ndeshja e kthimit mund të konsiderohet formalitet, pasi Romës i duhet të fitojë 4-0 për t’u kualifikuar.
Në gjysmëfinalen tjetër, Vilarreali ka fituar 2-1 ndaj Arsenalit, një rezultat që e lë të hapur kualifikimin për në ndeshjen e kthimit në Londër. Trigueros dhe Raul Albiol janë autorët e golave për spanjollët, për anglezët shënoi me penallti Pepe golin e shpresës. Dy skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga 10 lojtarë, pasi Dani Sebajos dhe Kapo u ndëshkuan me karton të kuq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje