Dashamir Shehi e ka thënë fjalën e tij. Në një postim në Facebook, Shehi është angazhuar se do ta shfrytëzojë mandatin e fituar për të ngritur në Kuvend problemet e njerëzve.
Kjo përsa i përket votës që u dha për të.
Lidhur me zhvillimet politike në vend, Dashamir Shehi ka shumëçka për të thënë.
Shehi shprehet qartë se nuk mund të ketë bashkëpunim mes Ramës dhe Bashës. Dhe këtu ai nënkupton mundësinë e një bashkëqeverisje.
“Është brenda linjës së Ramës se e provokoi edhe para zgjedhjeve dhe ia arriti që LSI-ja ta neutralizojë. Ky lloj diskutimi që thotë Rama duket si pro perëndimor, është miklues për disa arrivistë dhe karrieristë brenda PD-së. Si të thuash një lloj karamele për disa që e kanë prit pushtetin si burim material, që ku do punoj unë.
Sot unë shoh brenda PD-së, e them me dhimbje këtë, shoh fytyra që janë trishtuar jo se ka humbur e djathta, jo se ka humb demokracia, mua kjo me trishton se kam 25 vjet në opozitë, por se ka humbur perspektiva… E i them kujdes kolegë opozitarë, beteja jonë është me moralin dhe me të drejtën, beteja jonë është ta marrim të çojmë Shqipërinë në BE. Nëse duhet të çojmë Shqipërinë në Turqi u dashka bashkëqeverisje, unë jam kundër. Ne kemi nevojë për opozitë të fortë, jo lëmoshën e Ramës”, tha Shehi në A2.
Dashamir Shehi thotë se kreu i PD, Lulzim Basha nuk mund të gjykohet pa përfunduar hetimet për krimet zgjedhore.
Shehi nënvizon se duhet analizë e thellë për rezultatin e zgjedhjeve.
“Do të fillojë analiza ku kemi gabuar. Kush i deformon zgjedhjet brenda sistemit zgjedhor? PS ka 48.57% dhe merr 74 mandate. PS-ja ishte e vetme në zgjedhje dhe ka marrë më pak se gjysma e votave dhe më shumë se gjysma e deputetëve. Në total, ka marrë 77 deputetë derivat i një ligji që nuk është përfaqësues për vendin, një ligj i keq që kemi firmosur edhe ne për këtë ligj. Ky nuk është ligj përfaqësues për votën shqiptare. Kemi deformim të sistemit zgjedhor, më pak se 50% e votës derivon mbi 70 deputetë. Kemi deformim kriminal të votës dhe deformim teknik të votës, që janë 80 mijë vota. Do marrim të analizojmë këta faktorë me radhë, ka kohë të mjaftueshme deri në shtator për t’u marrë me këtë punë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje