Politike

Bumçi: Basha nuk gjykohet dot për rezultatin, zgjedhjet u cenuan

Aldo Bumçi, i renditur i 16-ti në listën e  PD-së për Tiranën me një rezultat të dobët në favor të tij, është shprehur se Lulzim Basha duhet të vijojë të jetë në krye të PD-së.

“Është e drejtë e kujtdo të kërkojë largimin e zotit Basha. Në mendimin tim, nuk është kjo beteja e demokratëve. Demokratët votuan dhe prodhuan frymëzim me 0 lekë, ndërsa në krahun tjetër u shpenzuan qindra mijëra euro.

Zoti Basha nuk gjykohet dot për rezultatin, pasi ishte rezultat spektakolar që u cenua nga makineria e vjedhjes së votës, prishja e koalicioneve në mënyrë të njëanshme dhe një fletë votimi që u bë ashtu si u bë në mënyrë të qëllimshme, që vota të bëhej e pavlefshme.

Beteja e të gjithë demokratëve, edhe e Nishanit, Imamit e Ristanit, është që të kthejmë normalitetin në këtë vend.

Rama do të bënte të njëjtën gjë për të fituar zgjedhjet, kushdo që të ishte në krye të PD-së. Nëse do të kishim një rezultat si të vitit 2017, pavarësisht manipulimeve, Basha duhej të largohej. Sot, sfida e Bashës është beteja për legjitimitetin e qeverisjes së vendit”, tha  Bumçi.

Lidhur me ftesën për bashkëpunim nga kryeministri Edi Rama për Partinë Demokratike, Bumçi tha: “Edi Rama është në hall të madh sepse nuk ka më lekë buxheti, nuk merr dot borxh tjetër, nuk rrit dot më çmimin e energjisë. Njerëzit do të thonë sërish që ‘jemi keq’. Edi Rama duhet të ofrojë zgjidhje politike, pasi është shkaktari i krizës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë