Presidenti Ilir Meta kërkoi rinumërim të fletëve të votimit, duke marrë shkas nga numri i lartë i atyre që janë shpallur si të pavlefshme.
Meta hedh dyshime se një pjesë e votave të pavlefshme mund të jenë bërë me qëllim nga komisionerët.
“Kemi një numër të lartë fletësh të pavlefshme. Nga 25 mijë vota që ka qenë në të shkuarën, aktualisht është mbi 83 mijë, ose mbi 5 për qind. Duhet të numërohet dhe rinumërohet gjithçka sepse pamjet filmike janë atje dhe është shumë e lehtë për të parë dhe bërë ekspertizën, nëse fletët e pavlefshme janë bërë nga votuesit, apo komisionerët që kanë pasur qëllime për të cenuar vullnetin e sovranit”, deklaroi ai.
Një këshillë e dha edhe për Partinë Demokratike, ku kanë nisur debatet për një analizë të humbjes dhe zërave që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës si përgjegjës të saj.
“Thirrje partive politike që të mos merren me analiza, se asgjë nuk ka përfunduar, por t’i shërbejnë mbarëvajtjes së procesit për të zbardhur çdo votë që shqiptarët kanë hedhur në kutitë e votimit. Të jenë në gatishmëri të të gjithë këtij procesi”, vijoi ai.
“Tani është me rëndësi administrimi me qetësi dhe transparencë maksimale. Tani nuk ka nevojë njeri që të thotë hap kutitë, sepse kutitë tani janë hapur me kod”, shtoi Presidenti.
Deklaratat e Kryeministrit se do ta shkarkojë me Kuvendin aktual, Meta i cilësoi si shashka që përpiqen të largojnë vëmendjen nga problematikat e 25 prillit.
“Asnjë përgjigje për shashkat, të cilat duan të largojnë vëmendjen tuaj nga mbi 83 mijë vota të pavlefshme, e që janë atje që me pamjet filmike duhet parë se si janë bërë të pavlefshme, sepse nuk ka statistikë në botë që të justifikojë këtë. Ju e dini që rezultati është i ngushtë dhe mund të lëvizin shumë mandate në të gjitha këto qarqet ku ka pavlefshmëri”, tha ai.
Këmbëngulës se nuk do të dorëhiqet, ai iu përgjigj edhe deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, që tha se rezultati i 25 prillit “e shkarkoi Presidentin”.
“Ilir Meta në këto zgjedhje nuk ka kandiduar për deputet, por ka kërkuar që votat e qytetarëve të Shqipërisë të jenë të barabarta. Në të ardhmen ndoshta do të keni mundësinë që të shikoni se sa vota merr Ilir Meta”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje