Politike

Basha s’e ka dhënë përgjigjen, por Shehaj dhe Shehi deklarojnë futjen në Kuvend

Lulzim Basha nuk e ka përcaktuar ende rrugën politike që do të ndjekë PD, por Agron Shehaj dhe Dashamir Shehi kanë deklaruar paraprakisht se do të përfaqësojnë elektoratin në Kuvendin e ardhshëm

 “Dua t’ju falenderoj sinqerisht të gjithë ju që votuat Partinë Demokratike në Tiranë dhe veçanërisht në Njësinë 5 dhe 7, ku pata nderin të punoj bashkë me demokratët. Mbi 9 mijë vota më shumë se në vitin 2017, në këto dy njësi, janë një besim i madh për partinë tonë.

Si çdo demokrat do dëshiroja që sot të kishim marrë mundësinë për të venë në jetë angazhimet që morëm para gjithë shqiptarëve pēr t’u dhënë atyre një qeveri të përgjegjshme që punon për njerëzit.

Por vota juaj për Partinë Demokratike nuk është e humbur, ajo do të përfaqësohet besnikërisht dhe me kurajo në Kuvendin e Shqipërisë, që mbi të gjitha u takon shqiptarëve të thjeshtë.

Jam gjithashtu mirënjohës dhe ndihem përgjegjës ndaj të gjithë juve që shprehët besim tek unë personalisht. Do ta tregoj me punë, çdo ditë, se jam në politikë për ju dhe për t’i shërbyer me nder interesit publik”, shkruan Shehaj.

Edhe Dashamir Shehi nënvizon të njëjtën gjë kur përcjell një mesazh për ata që e kanë votuar.

“…Unë si përherë do ta shfrytëzoj mandatin tim për të ngritur zërin për problemet dhe çështjet tona duke shpresuar se zëri im do të ketë peshë dhe mund të sjellë një ndryshim.

Sigurisht që më vjen shumë keq për këtë rezultat, për këtë dhunë mbi lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve, por betejën do ta vazhdoj! Do ta vazhdoj në emrin tim dhe në emrin e mijërave votuesve që më besuan mua personalisht!

Do të kem nevojë për mbështetjen tuaj, derisa të rikthejmë në Shqipëri, lirinë, demokracinë dhe Europën”, shkruan Shehi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë