Politike

KE nën presionin e eurodeputetëve për të dënuar “bashkimin” Kosovë-Shqipëri

Komisioni Europian shprehet i shqetësuar nga deklaratat që nxisin bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe fton të gjithë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të vetëpërmbahen e largohen nga gjuha që nuk përputhet me parimet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe parimet e vlerat e BE.

“Komisioni pret nga i gjithë rajoni që të vazhdojë në rrugën drejt ndërtimit të marrëdhënieve të sinqerta, bazuar në programet e reformave që çojnë përpara vendet përkatëse në rrugën europiane. Kjo vlen për të gjitha vendet, edhe për Kosovën, që ka një perspektivë të qartë europiane si pjesë e Ballkanit Perëndimor”, thotë Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

Komisioneri u është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga një grup deputetësh në lidhje me deklaratat e bëra nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, para dhe pas marrjes zyrtarisht të pushtetit.

“Komisioni pret nga qeveria e re e Kosovës që të punojë në këtë drejtim”, vijon Varhelyi.

Një pjesë e eurodeputetëve i kanë vlerësuar si “kërcënime” për paqen dhe stabilitetin në rajon deklaratat e bëra në Kosovë, që nxisin bashkimin me Shqipërinë. Ata po ushtrojnë presion ndaj Komisionit që të reagojë më fort në lidhje me këtë çështje, ndërsa vënë edhe në pikëpyetje perspektivën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

Mes citimeve ku bazojnë këtë shqetësim është edhe një intervistë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që pak pasi fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit deklaroi se nëse do të mbahej një referendum për bashkimin me Shqipërinë ai do të votonte pro”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë