Futboll

Milani futet në lojë për De Paul, ofron Haugen, 2 të rinj dhe euro

Pasi ka bllokuar portierin Maignan për të mos u gjendur pa përgatitur në rast se ikën Donaruma, Milani po manovron edhe për mesfushorin De Paul. Drejtuesit e klubit kuqezi po lëvizin me shpejtësi për të siguruar shërbimet e tij, para se këtë gjë ta bëjnë klube të tjera, veçanërisht ato angleze.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Milani i ka bërë një ofertë Udinezes, që kërkon 40 milionë euro për talentin e saj. Kuqezinjtë kanë ofruar kartonin e norvegjezit Hauge, një shumë eurosh dhe Pobegën dhe Breshianinin, dy të rinj premtues që mund t’i shërbejnë klubit friulian.

Mesfushori argjentinas, De Paul. Gazeta Si, 1 maj 2021

Udineze për momentin ka marrë kohë, në pritje edhe të ofertave të tjera, pasi De Paul pëlqehet gjithashtu nga Juventusi dhe Interi, si dhe nga klube të tjera jashtë Italisë. Verën e kaluar drejtuesit e këtij klubi nuk pranuan lojtarë në shkëmbim të mesfushorit të tyre. Afrimi i De Paul te Milani varet shumë nga kualifikimi për në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri, ndërkohë që nevojitet edhe “sponda” e Mino Raiolës, prej pak kohësh agjent i argjentinasit.

Milani duhet të zgjidhë edhe çështjen e rinovimit të Çalhanoglu, që dukej i sigurt, por që ka mbetur prapa. Turku mund të vendosë të largohet, ndaj dhe Milani po punon për zëvendësuesin e tij. De Paul do të ishte lojtari ideal për Piolin, duke ditur përshtatshmërinë e tij, që i ofron trajnerit zgjidhje të ndryshme për lojën. Maldini dhe Masara kanë hedhur hapat e parë dhe tani topi është në fushën e Udinezes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë