Futboll

Video/ Interi bën gati shampanjën e titullit, Milani rikthehet në vend të dytë

Një e djathtë e devijuar e Eriksenit dhe një kundërsulm vrastar i finalizuar nga Hakimi i kanë dhënë fitoren 0-2 Interit në fushën e Krotones. Një fitore që i ngjit zikaltrit në kuotën e 82 pikëve, 13 më shumë se Milani i vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga fundi. Festa e titullit të 19-të në Serinë A ka nisur dhe nëse të dielën Atalanta nuk fiton në fushën e Sasuolos, ajo do të jetë zyrtare për Interin.

Skuadra e Antonio Kontes e dominoi ndeshjen, por arriti ta zhbllokonte vetëm në minutën e 69-të. Eriksen gjuajti nga jashtë zonës me të djathtën dhe topi pushoi në rrjetë, ndërsa në kohën shtesë Hakimi dyfishoi rezultatin. Krotone, pas kësaj humbjeje, ka zbritur zyrtarisht në Serinë B.

Milani është kthyer te fitorja dhe vendi i dytë, pasi mundi 2-0 Beneventon, por me një ndeshje më shumë se rivalët e Atalantës, Napolit dhe Juventusit. Ishte një trepikësh i rëndësishëm për kuqezinjtë, që kanë ngritur kokën dhe shpresojnë për një vend në zonën Champions. Ata janë ngjitur në kuotën e 69 pikëve dhe tani presin rezultatet e rivalëve.

Ndeshja në “San Siro” nisi me golin e Çalhanoglu. Mesfushori turk realizoi me të djathtën pas një aksioni për manual. Më pas skuadra e Piolit hasi vështirësi, pasi Montipò bëri disa pritje shpëtimtare. Në pjesën e dytë Teo Hernandez mbylli llogaritë me golin e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë