Futboll

Video/ Tirana shpërdoron ndaj Bylisit, Skënderbeu mund Kastriotin mes tensionit

Tirana ka shpërdoruar një mundësi të mirë për t’u afruar me kreun, ka lënë 2 pikë në fushën e Bylisit, që në fund të sezonit mund t’i kushtojnë shumë shtrenjtë. Pa gola ka përfunduar kjo ndeshje, ku skuadra kryeqytetase kishte disa raste të pastra, por në një rast ka paguar egoizmin e Seferit dhe në raste të tjera lojtarët e saj janë nxituar.

Bylisin, që lufton për mbijetesë mund ta kënaqë pika, por jo kampionët në fuqi, të cilët i kanë komplikuar më tepër llogaritë. Tirana ka barazuar Laçin në kuotën e 50 pikëve dhe ka marrë përkohësisht vendin e 4-t, por kurbinasit luajnë nesër ndaj Kukësit dhe gjasat janë që të shkëputen sërish nga kryeqytetasit.

Një ndeshje “gladiatorësh” është zhvilluar në stadiumin e Kamzës, ku Skënderbeu ka mundur 0-2 Kastriotin, ka rritur shanset për qëndrimin në elitë dhe ka shtuar presionin te krutanët, të cilët tani i kanë vetëm 2 pikë larg. Zhan Viktor dhe Kosta Vangjeli janë autorët e golave për Skënderbeun.

Loja mes këtyre dy skuadrave ishte shumë e ashpër dhe ndërkombëtari Enea Jorgji ndëshkoi me karton të kuq Prodanin e Kastriotit afër fundit të pjesës së parë. Ishin edhe disa episode të tjera tensioni, ku veçohet ai i Çelës, që goditi me kokë lojtarin kundërshtar, por ia hodhi vetëm me një të verdhë, kurse një shkelm ndaj Mensah as që është vënë re nga arbitri elbasanas.

Java e 31-të e Superiores vazhdon nesër me tri ndeshjet e tjera, që mund të sjellin ndryshime në kreun e renditjes.

Superiore, java e 31-të
Sot
Bylis-Tirana 0-0
Kastrioti-Skënderbeu 0-2
Të hënën
Vllaznia-Teuta
Partizani-Apolonia
Laçi-Kukësi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë