Futboll

Vllaznia synon parakalimin e Teutës, Partizani me mendjen në “Loro Boriçi”

Vllazninë dhe Teutën i ndajnë 2 pikë në tabelën e klasifikimit dhe ndeshja e sotme në “Loro Boriçi” përcakton në një farë mënyre se cila prej tyre është më afër titullit kampion. Shkodranët, në rast fitoreje, e parakalojnë Teutën dhe i shtrojnë rrugën vetes drejt trofeut të shumëdëshiruar.

Është një nga ato ndeshje, ku dy skuadrat kanë frikë nga humbja, megjithatë si Vllaznia, ashtu edhe Teuta, do të luajnë gjithçka për maksimumin, sepse Partizani, rivali tjetër që mban vendin e dytë, është gati të përfitojë, duke qenë se luan me Apoloninë e vendit të fundit. Trajneri Bërdariç ka theksuar në konferencë shtypi se skuadra e tij është e përqendruar për ta fituar ndeshjen.

Partizani para një ndeshjeje. Gazeta Si, 3 maj 2021

Rivaliteti për vendin e parë i ka dhënë kampionatit më shumë bukuri dhe këtë fazë finale të tij e ka bërë më interesante. Partizani, në formë sportive shumë të mirë, duhet të fitojë pa probleme në “Elbasan Arena” ndaj Apolonisë dhe është e pashmangshme që të mos i mbajë veshët në Shkodër, ku rezultati i ndeshjes së rivalëve ka rëndësi për të.

Ndeshja tjetër e javës së 31-të është ajo mes Laçit dhe Kukësit, me kurbinasit në garë për një vend në Ligën e Europës dhe kuksianët pa objektiva. Megjithatë, këta të fundit nuk do të hapin rrugë, aq më tepër duke ditur agresivitetin që kanë pasur ndeshjet mes këtyre dy skuadrave vitet e fundit.

Teuta kryeson kampionatin me 55 pikë, e ndjekur nga Partizani me 54 dhe Vllaznia me 53, kurse Laçi dhe Tirana kanë nga 50 pikë.

Superiore, java e 31-të
Të dielën
Bylis-Tirana 0-0
Kastrioti-Skënderbeu 0-2
Sot
Vllaznia-Teuta
Partizani-Apolonia
Laçi-Kukësi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë