Komunitet

Burgjet në Shqipëri nën standardin e duhur, korrupsion për punësimin dhe lirimin e të dënuarve

Burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Shqipëri janë shumë larg standardeve të duhura dhe situata e krijuar nga Covid-19 e ka rënduar akoma më tepër situatën e të burgosurve.

Kjo është ajo çfarë nënvizohet në raportin e fundit për të Drejtat e Njeriut nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërsa theksohet se kushtet e këqija fizike dhe mungesa e kujdesit shëndetësor, në veçanti për kushtet e shëndetit mendor, mbeten probleme serioze, ashtu si edhe korrupsioni.

“Kushtet mbetën nën standardin e duhur në mjediset e paraburgimit në disa rajone të policisë në rrethinat e Tiranës dhe në qendra të tjera kryesore urbane”.

Kushtet fizike

Mbipopullimi në burgje vijon të jetë problem në disa mjedise. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dhe Zyra e Avokatit të Popullit raportuan mbipopullim në burgun e Zaharisë në Krujë.

Kushtet në burgje dhe në qendra paraburgimi ndryshonin në mënyrë të konsiderueshme në varësi të vjetërsisë dhe llojit të objektit.

Mjediset e burgjeve në Krujë, Lushnjë, Sarandë, Lezhë dhe Tepelenë, sipas raportimit të Zyrës së Avokatit të Popullit, kishin çështje infrastrukture me nevojë urgjente.

Zyra e Avokatit të Popullit dhe organizata joqeveritare (OJQ) raportuan se autoritetet i mbanin të burgosurit me probleme të shëndetit mendor në burgje normale, ku nuk kishte mundësi të mjaftueshme për kujdesin e shëndetit mendor.

Që nga viti 2018, Ministria e Drejtësisë është përpjekur të sistemojë të burgosurit dhe paraburgosurit e burgut Zaharia në burgun e Lezhës. KShH-ja dhe avokati i Popullit raportuan se qeveria nuk kishte marrë masa për t’i kthyer në institucion të veçantë mjekësor ndërtesat e planifikuara në burgun e Lezhës.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë po ndërton një burg për të dënuarit mbi 60 vjeç, i cili planifikohet të përfundojë në vitin 2021.

Kushtet në qendrat e paraburgimit

Përveç mjediseve rajonale në Tiranë (me përjashtim të komisariateve, të cilat janë njësi më të vogla nën drejtoritë rajonale të policisë), Durrës, Gjirokastër, Kukës, Fier dhe Korçë, kushtet në mjediset e administruara nga Ministria e Brendshme, si për shembull komisariatet e policisë dhe mjediset e përkohshme të paraburgimit, ishin të pamjaftueshme në disa aspekte.

Në raport theksohet se disa mjedise paraburgimi në zona të thella nuk kishin ngrohje gjatë dimrit dhe disa kishin mungesë të kushteve bazë të higjienës, si për shembull dushe ose lavamanë. “Mjediset ishin të vogla e të mbingarkuara, kishin mundësi të kufizuar përdorimi të tualeteve dhe kishin pak ose aspak ventilim, dritë natyrale ose shtretër dhe stola. Sistemet e monitorimit me kamera nuk ekzistonin ose ishin të pamjaftueshme në shumicën e rajoneve të policisë” vërehet në raport.

Avokati i Popullit raportoi se mjediset e administruara nga Ministria e Brendshme ishin të mbipopulluara kryesisht si rrjedhojë e numrit të rritur të arrestimeve për vepra penale të shtuara së fundmi dhe mungesës së bashkërendimit dhe vonesave, përfshirë vonesa në caktimin e datës së gjyqit, nga Ministria e Drejtësisë.

Korrupsioni në qendrat e paraburgimit

Zyra e Avokatit të Popullit raportoi se zyrtarët e burgut dhe të policisë në përgjithësi bashkëpunonin gjatë hetimeve. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mori 173 ankesa deri në muajin nëntor, kryesisht në lidhje me vendimet për punësim ose korrupsion në sistemin penitenciar, ndërsa Avokati i Popullit mori 141 ankesa nga personat në paraburgim ose në burg deri në muajin gusht, por nuk referoi ndonjë rast për procedim penale.

Korrupsioni vazhdoi të mbetej problem serioz në qendrat e paraburgimit, në veçanti lidhur me mundësinë për përfshirje në punë dhe në programe të veçanta lirimi.

“Në vitin 2018, ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Arben Çuko, u arrestua nën akuzën për korrupsion. Në janar, gjykata e mbylli çështjen kundër Çukos pasi i reduktoi disa herë akuzat. Në korrik, drejtori i burgut të Lushnjës, Judmir Shurdhi, së bashku me një tjetër anëtar të stafit të burgut, u arrestuan për lirimin e paautorizuar të një të dënuari. Deri në muajin tetor, çështja e tyre vazhdonte të ishte ende nën hetim. Deri në muajin korrik, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve raportoi se kishte kryer procedime disiplinore për 422 anëtarë stafi të burgjeve dhe kishte pushuar nga puna 33 të tjerë. Deri në muajin gusht, drejtoria kishte larguar nga puna gjashtë drejtues burgjesh dhe katër të tjerë ishin nën hetim”, nënvizohet në raport.

Më tej theksohet se “Në muajin korrik, Kuvendi miratoi legjislacionin për minimizimin e komunikimit mes krimit të organizuar dhe anëtarëve të bandave në burgje dhe kontakteve të tyre nga jashtë, për të parandaluar administrimin e organizatave kriminale nga burgu.  Deri në muajin gusht, katër të burgosur ishin vendosur nën këtë regjim”.

Ndërkohë deri në muajin gusht, KShH-ja raportoi një vdekje të dyshimtë në burgun “Jordan Misja” në Tiranë, për të cilën u akuzua dhe u gjykua një i burgosur me aftësi të kufizuara mendore.

“Komiteti pretendonte se prokurorët dhe gjyqtarët e kësaj çështjeje kishin shkelur procedurat penale duke i mohuar të pandehurit të drejtën për të patur avokat dhe duke përdorur masa të tepërta sigurie mbi një person me aftësi të kufizuara mendore”.

Si ndikoi pandemia?

Si rrjedhojë e pandemisë së COVID-19 në muajin mars, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi vizitat nga familjarët për të reduktuar përhapjen e virusit. “Autoritetet shtuan kohën e përdorimit të telefonave për të burgosurit për të bërë telefonata me familjet e tyre dhe instaluan kompjutera për të mundësuar komunikimin nëpërmjet Skype. Avokatët mund të vizitonin klientët e tyre, por atyre u kërkohej të përdornin masat mbrojtëse dhe të ruanin distancën fizike. Në 23 mars, qeveria u dha një leje tre-mujore afërsisht 600 të burgosurve, duke i lejuar ata kështu të kryenin dënimin në shtëpi”, -vërehet në raport.

Për shkak të pandemisë, avokati i popullit dhe organizata të tjera që monitorojnë sistemin penitenciar ishin të detyruara të punonin në distancë. Avokati i Popullit nuk kreu inspektime fizike të burgjeve gjatë këtij viti.

Ndalimi në pritje të gjykimit

Ndonëse ligji kërkon përfundimin e shumicës së hetimeve brenda tre muajve, prokurori mund ta zgjasë këtë periudhë. Ligji parashikon që ndalimi në pritje të gjykimit të mos i kalojë tre vjet. Periudha më e gjatë e ndalimit në pritje të gjykimit shpesh ndodhte për shkak të hetimeve të vonuara, gabimeve të mbrojtjes ose mosparaqitjes së qëllimshme të avokatit mbrojtës. Ligji u mundëson gjyqtarëve t’u kërkojnë llogari avokatëve për mosrespektim të gjykatës. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, administrimi i dobët i kalendarit të gjykatave, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve u bënë pengesë që sistemi i gjykatave të gjykonte çështjet brenda afatit kohor. Deri në muajin gusht, 47 për qind e popullsisë së burgjeve dhe qendrave të paraburgimit ishte në ndalim në pritje të gjykimit.

Mohimi i gjyqit të drejtë publik

Megjithëse Kushtetuta parashikon pushtet gjyqësor të pavarur, në raporet vërehet se “presioni politik, kanosja, korrupsioni i përhapur, si edhe burimet e kufizuara hera-herës penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe të efektshme. Seancat gjyqësore shpesh nuk ishin të hapura për publikun”.  

Punonjësit e sigurisë në gjykata shpesh nuk pranuan të lejonin vëzhgues në seanca dhe rregullisht merrnin në telefon gjyqtarin kryesues për ta pyetur nëse duhet të lejonin një individ ose jo i cili kërkonte të ndiqte një seancë të caktuar. Disa agjenci nuk morën parasysh urdhrat e gjykatës.

“Qeveria vazhdoi të zbatonte një proces të monitoruar nga ndërkombëtarët për të vlerësuar gjyqtarët dhe për të shkarkuar ata me pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar. Deri në nëntor, 45 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët i ishin nënshtruar vlerësimit të vetingut dështuan dhe u shkarkuan, 37 përqind e kaluan procesin dhe 18 përqind dhanë dorëheqjen”.  

Politizimi i emërimeve të së shkuarës në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese hera-herës kërcënonin të minonin pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve.

Zbatimi i dispozitave të reformës në drejtësi çoi në ndalim të proceseve normale disiplinore, ndërkohë që vendi ishte duke themeluar organizma të pavarura të disiplinës. Që nga krijimi i tij në shkurt, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i cili kryen hetime disiplinore, ka aprovuar gjashtë vendime për të hapur hetime disiplinore ndaj magjistratëve. Në muajin korrik, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë hapi procedimet disiplinore për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj një prokurori dhe i dorëzoi gjetjet e këtij procesi te Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë