Federata Angleze e Futbollit ka hapur një hetim në lidhje me 6 klubet që u përfshinë në projektin e Super Ligës dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë masa për ta. “Javën e kaluar kemi nisur një hetim për Super Ligën europiane dhe përfshirjen në të të 6 klubeve angleze”, – shkruhet në një komunikatë zyrtare të FA-së.
“U kemi shkruar të gjithë klubeve për t’u kërkuar formalisht informacione dhe prova që lidhen me pjesëmarrjen e tyre. Sapo të kemi informacionet që kemi kërkuar, – vazhdon komunikata e FA-së, – do të vlerësojmë se çfarë masash mund të marrim. Ajo që ndodhi është e papranueshme dhe do të sillte dëme të mëdha për klubet e çdo niveli të futbollit anglez”.

Në fakt, edhe Premier Liga të hënën ka zbuluar se ka përgatitur “një sërë masash për t’u mbrojtur nga kërcënimi i ligave separatiste në të ardhmen dhe për të ruajtur principet thelbësore të lojës: një piramidë e hapur dhe progres nëpërmjet meritës sportive dhe standardit më të lartë të integritetit sportiv”.
Jo vetëm kaq. Liga angleze do t’u kërkojë pronarëve të klubeve të firmosin edhe një marrëveshje, që do t’u impononte atyre të respektonin principet thelbësore të Premier Ligës, ku shkeljet e mundshme do të pasoheshin me sanksione. “Tifozët kanë luajtur një rol jetësor, duke ndihmuar në anulimin e Super Ligës europiane, – shkruhet më tej në komunikatën e FA-së. – Gjithsesi, nuk mund ta tolerojmë sjelljen e dhunshme të tifozëve para ndeshjes Mançester Junajtid-Liverpul, për të cilën ka një hetim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje