Futboll

Surprizon Roma, kthen Zhoze Mourinjon në Itali pas 11 vitesh

Ditë ndryshimesh te Roma. Pas njoftimit për largimin e Paulo Fonsekës në fund të sezonit, klubi ka zyrtarizuar me anë të profilit zyrtar Twitter se trajneri i ri do të jetë Zhoze Mourinjo, i cili kthehet në Itali pas 11 vitesh. Në 2010 Mourinjo fitoi tripletën e famshme me Interin, ndërsa tani ka firmosur një kontratë me Romën deri më 30 qershor të 2024-ës.

Marash Kumbulla do të ketë kështu një trajner “special”. Në fakt, u duk se drejtimin e Romës do ta merrte Mauricio Sarri, por pronarët e klubit kanë vendosur për Mourinjon, me të cilin kanë një projekt ambicioz.
“Jemi të lumtur dhe të emocionuar t’i japim mirëseardhjen Zhoze Mourinjos te Roma, – ka deklaruar presidenti Dan Friedkin. -Zhoze është një trajner i jashtëzakonshëm, ka fituar trofe në çdo nivel dhe garanton një lidership dhe një eksperiencë të madhe për projektin tonë. Firma me të përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara, në ndërtimin e një mendësie fituese dhe solide”.

“Kur Zhoze u tregua i gatshëm, nuk humbëm kohë dhe përfituam nga rasti menjëherë për të folur me një nga trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, – ka thënë Tiago Pinto, menaxheri i përgjithshëm sportiv i Romës. – U impresionuam nga dëshira e tij për të fituar dhe pasioni për futbollin. Për të nuk kanë rëndësi trofetë e fituar në karrierë. Jemi të ndërgjegjshëm se për një projekt sportiv të suksesshëm duhet kohë, durim dhe personat e duhur në vendin e duhur. Jemi të bindur se Mourinjo do të jetë trajneri perfekt për projektin tonë”.

Shkurt ka folur edhe vetë Mourinjo, i cili është shprehur: “Falënderoj familjen Friedkin që më zgjodhi për të drejtuar një klub të madh. Pas takimit me pronarët dhe Tiago Pinton, kuptova se çfarë ambiciesh ka ky klub. Së bashku duam të kemi një rrugëtim fitues vitet e ardhshme. Pasioni i madh i tifozëve të Romës më ka bindur të pranoj dhe mezi pres fillimin e sezonit të ri. I uroj Paulo Fonsekës fat dhe kërkoj nga shtypi që të më mirëkuptojë, sepse do të jap deklarata vetëm në kohën e duhur. Daje Roma!@asroma”.

Mourinjo u shkarkua pak kohë më parë nga Totenhemi, ndërkohë që ka drejtuar edhe shumë klube me emër si Porto, Inter, Real Madrid, Çelsi dhe Mançester Junajtid.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë