Politike

Varhelyi mbërrin në Tiranë me valixhen me vaksina: Negociatat? Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet

Oliver Varhelyi mbërrin në Tiranë me “valixhen” me 145 mijë vaksina Pfizer. Qëllimi kryesor i dorëzimit personalisht prej Komisionerit të Zgjerimit të këtyre vaksinave në vendet e Ballkanit Perëndimor është të tregojë se Bashkimi Europian është pranë vendeve të rajonit në luftën kundër pandemisë.

Por, ashtu siç provoi ndalesa e Komisionerit në Shkup tema e zgjerimit nuk mbetet jashtë këtyre takimeve.

Në Tiranë, Varhelyi do të takohet me Ramën e Bashën. Me Kryeministrin do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë të Brukselit pas zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhje për të cilat nga Brukseli kanë uruar Ramën për fitoren.

Sa i takon zgjerimit hapi i radhës që kërkon të hedhë Shqipëria është mbajtja e tryezës së parë ndërqeveritare në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Për këtë temë, Komisioneri i Zgjerimit lajmin e prodhoi nga Shkupi, kur u pyet mbi mundësinë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në këtë proces.

“A është e mundur ndarja? Ky proces bazohet në meritë dhe nëse shohim arritjet e Shqipërisë vlerësoj se ata i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Pra, nëse nuk ka zgjidhje sa i përket Maqedonisë së Veriut (përplasja me Bullgarinë), mund të vijë momenti që ne ta konsiderojmë këtë opsion”, tha ai.

Ndërkohë, në Bruksel qarkullon lajmi se Komisioni do të propozojë që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet në muajin qershor. Lajmi është njoftuar nga një gazetar i Euronews, duke cituar burime. Kontaktuar nga gazeta “Si”, zyra e Komisionit Europian as e pohon, por as e mohon këtë lajm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë