Politika shqiptare ka përkujtuar të mërkurën 5 majin, Ditën e Dëshmorëve të Kombit. Në nderim të kësaj dite, mesazhet e para kanë ardhur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur mirënjohje dhe respekt për dëshmorët.
Nëpërmjet një fotoje të publikuar në Facebook, ku shfaqej monumenti i “Nënës Shqipëri”, shefi i qeverisë shkruan: “Respekt përjetësisht”.
Në një prononcim për mediat pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve, presidenti Ilir Meta vlerësoi kontributin e shqiptarëve që kanë dhënë jetën për liri.
“Sot në këtë ditë, në Ditën e Dëshmorëve dhe të heronjve, në ditën kur Qemal Stafa dha jetën për lirinë e atdheut kujtojmë jo vetëm Qemal Stafën, por edhe Margarita Tutulanin, Vojo Kushin dhe të tjerë që bënë sakrifica për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, – tha kreu i shtetit. – Sot është dita jo vetëm ti nderojmë, por edhe të angazhohemi që të bëjmë shumë më tepër në mënyre që qytetaret shqiptarë të gëzojnë liritë që i takojnë në atdheun e tyre. Shqipëria të ketë vendin që i takon në BE dhe që të rinjtë dhe të rejat të kenë një të ardhmen evropianë në vendin tyre”, – shtoi ai.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në Varrezat e Dëshmorëve, ku ka nderuar të rënët për lirinë e vendit.
I shoqëruar nga përfaqësues të Partisë Demokratike Basha, ka vendosur lule në monumentin “Nëna Shqipëri”, si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.
Basha vendosi lule edhe në nderim të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish-ambasadën sovjetike, në simbol të nderimit të opozitarizmit dhe shprehjes së lirë.
Kryetari i PD vendosi një kurorë me lule në nderim të kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan, në një mision të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO.
Basha bëri homazhe edhe para efektivëve të policisë të rënë në krye të detyrës në luftë kundër krimit, si dhe vendosi lule ne varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i cili vazhdoi angazhimin çlirimtar edhe me UÇPMB-në, e më vonë edhe me UÇK-në në luftën në Maqedoni, ku edhe ra trimërisht në moshën 32 vjeçare, në malësinë e Tetovës.
Basha ishte i shoqëruar nga 5 përfaqësues të PD, Edmond Spaho, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje