Futboll

Video/ Çelsi nxjerr jashtë Realin, finale e gjitha angleze në Champions

Me dy gola të shënuar nga Verner dhe Maunt, Çelsi ka mundur 2-0 Real Madridin në Londër dhe është kualifikuar për në finalen e Stambollit, ku do të disktuojë trofeun e rëndësishëm me Mançester Sitin. Një finale e gjitha angleze, me Sitin ndoshta favorit, por edhe ecuria e Çelsit është mbresëlënëse këtë sezon. Reali, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, e pati të vështirë kualifikimin dhe në fund është dorëzuar para skuadrës së Tuhel.

Verner, një nga më të mirët në fushë për të dyja skuadrat, gjeti rrugën e rrjetës shpejt, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, gjermani do të shënonte në minutën e 28-të, duke shtyrë në rrjetë topin e kthyer nga traversa, pas gjuajtjes së Havertz. Portieri Mendi reagoi mirë ndaj një gjuajtjeje të Benzema dhe pjesa e parë u mbyll 1-0.

Në pjesën e dytë skuadrat u treguan pak më të kujdesshme. Trajneri Zidan hodhi në fushë Valverden, Asension dhe Rodrigon, por Rali nuk mundi të barazonte, ndërsa në minutat e fundit pësoi edhe golin e dytë nga Maunt. Edhe pse me Ramosin në fushë, skuadra madrilene vuajti jo pak në mbrojtje. Në anën tjetër, në këtë ndeshje zhgënjyen Hazard dhe Vinicius. Aventura madrilene mbyllet këtu, ndërsa Çelsi festoon kalimin në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë