Politike

Këlliçi rendit tre kallëzimet para 25 Prillit: SPAK nuk veproi, vota në Durrës u deformua

Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi që garoi për mandatin e deputetit në Tiranë, doli nga selia e partisë për të njoftuar tre kallëzimet që janë depozituar në SPAK për blerje votash në qarkun e Durrësit, para 25 Prillit. Vëmendja e tij ishte fokusuar më shumë tek SPAK.     

“3 javë para ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të gjithë personat kryesorë të përfshirë në skemën e blerjes së votave, ku në krye qëndron drejtori i Operatorit të Shpërndarjes Ardian Çela dhe deputetët Lefter Koka, Jurgis Çyrbja, Rrahman Rraja dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi. 

 Kundër këtyre dhe një ushtrie nëpunësish që shpërndanin para dhe favore të tjera, që mblidhnin kartat e identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve te opozitës, Partia Demokratike ka bërë 3 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, duke nisur me kallëzimin e parë në 2 prill. 

 Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave. 

 Sot, ne po vëmë në dijeni opinionin publik se kush janë personat e përfshirë në masakrën elektorale të 25 Prillit në Qarkun e Durrësit duke përfshirë të treja kallëzimet e dorëzuara në SPAK përpara ditës së zgjedhjeve”, tha Këlliçi duke bërë publike edhe paditë e depozituara. 

Ai renditi emra drejtorësh në Bashkinë e Durrësit por edhe të tjerë disa prej tyre në varësi të Drejtorit të KESH-it, Ardian Çela dhe foli për një skemë manipulimi votash në zonën e Shijakut, Rashbullit, Krujë, Thumanë, Fushë-Kruje, Spitallë, Sukth…etj.

“Janë mbi 70 përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues të administratës qendrore dhe lokale, njerëz të krimit të organizuar që janë identifikuar nga Partia Demokratike në veprimtarinë kriminale të blerjes së votës.

Prej më shumë se 1 muaji, SPAK-ut i janë vënë në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe zona ku veprojnë për ta shpërndarë para për blerjen e votave, por ata u lanë të lirë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve.

Beteja jonë për të çrrënjosur aleancën e së keqes Rama-Doshi-Rakipi, që mban Shqipërinë në vendnumëro, nuk do të ndalet derisa t’ia ketë arritur qëllimit. Shqiptarët e ndershëm janë shumica. Ata nuk kanë votuar për një regjim kriminal, por kërkojnë  sundimin e shtetit ligjor, zgjedhje të lira e të ndershme dhe një qeveri që sjell ndryshimin real të vendit…”, tha Këlliçi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë