Kuvendi u mblodh këtë të premte me një mori çështjesh në rendin e ditës, që aktet normative të ndërmarra për përballimin e pandemisë, te dekretet e Presidentit Meta për kthim ligjesh e deri te raporti për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Metës.
Në seancë është depozituar propozimi i Komisionit të Ligjeve, që në mbledhjen e ditës së enjte miratoi me shumicë dërrmuese votash kërkesën e një grupi deputetësh socialistë për nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës. Propozimi u miratua me 14 vota pro dhe vetëm votën kundër të Adriatik Alimadhit. Ngritja e Komisionit Hetimor mund të miratohet me shumicë të thjeshtë. Ai duhet të përbëhet nga 9 deri në 15 anëtarë dhe gjithmonë me numër tek.
Në propozimin e Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj Presidentit është dërguar edhe lista me 9 anëtarë të këtij që propozohen për të qenë pjesë e këtij Komisioni.
Alket Hyseni propozohet si kryetar, nënkryetar Myslim Murrizi dhe anëtarë Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.
Klotilda Bushka, Vasilika Hysi dhe Alket Hyseni, janë tre emra të këtij Komisioni kanë qenë edhe pjesë e Komisionit “Meta 1”, që mbylli punimet në korrik të vitit të kaluar. Gjithashtu, nga 9 anëtarët e këtij Komisioni vetëm Klotilda Bushka do të jetë deputete në Kuvendin e ri, pasi emrat e tjera nuk u zgjodhën më 25 prill.
Nëse deputetët do ta miratojnë ngritjen e këtij Komisioni, kjo do të jetë hera e dytë që Parlamenti heton Presidentin Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës. Hetimi i parë u mbyll në korrik të vitit të kaluar, ku Komisioni i drejtuar nga Ulsi Manja doli në përfundimin se Presidenti kishte kryer shkelje të Kushtetutës, por ato nuk ishin aq të rënda sa për shkarkimin e tij.
Presidenti Meta nga ana tjetër e cilëson këtë nismë të dytë të mazhorancës si “shashkë” që synon të heqë vëmendjen nga parregullsitë e mëdha të procesit zgjedhor të 25 prillit. Gjithsesi, Meta u shpreh i gatshëm që të dëgjohej nga Komisioni i Ligjeve në datën 10 maj, ndërsa Komisioni e ftoi në seancën e kësaj të enjteje (6 maj). Arsye qëndron në faktin se Kuvendi aktual nuk mund të ngrejë komisione hetimore pas datës 9 maj, kur hyn në periudhën 4-mujore nga përfundimi i mandatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje