Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës nën argumentimin se me vendimin e marrë para zgjedhjeve të 25 prillit për të karantinuar qytetarët shqiptarë që hynin në vend nga Greqia u cenua e drejta kushtetuese për të votuar për mijëra shtetas.
LSI ka dorëzuar ankimimin e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve këtë të premte. Rezultati i zgjedhjeve kundërshtohet për Bashkinë e Dropullit, por duke qenë se rezultati është i ngushtë, LSI pretendon pavlefshmërinë në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës.
“Shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Bashkinë e Dropullit dhe duke qenë se kjo pavlefshmëri ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve për Qarkun e Gjirokastrës, shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve për të gjithë Qarkun e Gjirokastrës”, thuhet në ankimim.
LSI është e bindur se vendimi për të karantinuar shtetasit shqiptarë që hynin në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut është marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve me orientim të pastër politik.
“Ky orientim politik u pa qartë me anulimin më datë 3 maj 2021 të këtij urdhri pikërisht pak ditë pas mbarimit të zgjedhjeve. Vendosja e masave të tilla pak ditë para ditës së votimit dhe heqja e masave pak ditë pas mbarimit të procesit të votimit dëshmon për një vullnet të orientuar politikisht duke penguar shtetasit shqiptarë me banim në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës”, thotë LSI.
Në zgjedhjet e 25 prillit, në të gjithë Bashkinë e Dropullit, ku jeton kryesisht minoriteti grek u përgjysmuan votuesit. Konkretisht votuan 2956 persona, nga 5745 votues që e ushtruan këtë të drejtë në vitin 2017. LSI ka marrë 601 vota, ose rreth 22 për qind, ndërkohë që në zgjedhjet e katër viteve më parë ka dalë forcë e parë me 53 për qind të votave.
Për LSI në këtë qark kandidonte mes të tjerëv edhe Vangjel Tavo, përfaqësues i minoritetit grek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












Lini një Përgjigje