Politike

Ankimimi i PD / Pavlefshmëria kërkohet në 9 qarqe: Manipulimi nisi që në 2020-ën

pd, basha, zgjedhjet

Ankimimi i Partisë Demokratike për shpallje pavlefshmërie të zgjedhjeve në 9 qarqe nuk shtrihet vetëm gjatë fushatës, apo ditën e zgjedhjeve, por shkon një vit pas në kohë duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimin në tetor të 2020-ës e Kodit Zgjedhor pas marrëveshjes së 5 qershorit 2020.

“Nga ndryshimet antikushtetuese të Kodit Zgjedhor, tek ndryshimet me urdhër politik të fletës së votimit, që sollën zhvleftësimin e 83 mijë votave, baraz me afërsisht 8 deputetë. Nga pamundësimi i votës së emigrantëve tek karantina për të penguar emigrantët të vijnë fizikisht për të votuar”, thotë PD.

PD thotë se dorëzoi në KQZ 10 dosje voluminoze që provojnë shtrirjen masive kohore dhe gjeografike të manipulimit zgjedhor në 9 qarqe të vendit. Dy dosje janë vetëm materialet për Qarkun e Tiranës. Ironike është fakti se ankimimi i PD është dorëzuar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, një prej tre organeve të KQZ-së sipas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar. Por, pavarësisht kësaj, PD akuzon KAS se merr vendime mbi bazën e urdhrave politikë të Edi Ramës.

“Regjimi Rama-Doshi sundon gjithë sistemin shtetëror në vend dhe e përdor atë për përfitimet e tij politike. Këtu përfshihet edhe KAS i cili vendosi fletën e votimit sipas urdhrit politik të Edi Ramës. Por është detyra jonë të shpalosim gjithë dëshmitë dhe dokumentet që kemi dhe të vazhdojmë betejën për të vërtetën dhe për qytetarët shqiptarë në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë”, thotë PD.

Selia blu këmbëngul se 25 prilli ishte një masakër elektorale e orkestruar dhe zbatuar nga regjimi që e quan Rama-Doshi-Rakipi.

“Viktimat e kësaj masakre elektorale janë shqiptarët dhe familjet e tyre. Detyra e Partisë Demokratike është të qëndrojmë fort dhe të vendosur dhe të luftojmë me të gjitha fuqitë për kthimin e demokracisë në vend. Ne po dorëzojmë në KQZ qindra prova fakte dhe të dhëna që provojnë tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri”, thotë PD.

Në padi përfshihen edhe dokumenta e prova, sipas PD, që faktojnë blerjen e votave, presionin ndaj votuesve, vjedhjen e të dhënave personale dhe përdorimin e tyre kriminal nga sistemi i patronazhistëve të partisë-shtet, presioni ndaj administratës, tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të blerë vota.

Padia përfshin edhe kandidimin e atyre që opozita i cilëson si përfaqësues të krimit të organizuar, përdorimi i bandave për të blerë vota dhe kërcënuar qytetarët dhe

“Kjo betëjë nuk ka të bëjë me PD apo me partitë politike, ajo ka të bëjë me të ardhmen tonë, fëmijët tanë, demokracinë tonë. Dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë: përmbysja e regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë”, mbyllet deklarata e PD.

Edhe LSI ka dorëzuar një tjetër ankimim në KAS, pas atij për shpalljen e pavlefshmërisë në Qarkun e Gjirokastrës. Këtë herë, LSI kërkon të njëjtën gjë për Qarkun e Beratit, duke pretenduar për manipulim dhe shpallje të pavlefshme të votave për këtë subjekt politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë