Futboll

Dinamo kthehet në Superiore pas 9 vitesh, shtohen derbit e kryeqytetit

Pas 9 sezonesh vuajtje në nivelin inferior, Dinamo, skuadra e dytë më e titulluar e Shqipërisë, rikthehet në Superiore. Një mungesë e gjatë për 18 herë kampionët e vendit, të cilët kanë vuajtur problemet ekonomike dhe përzënien nga kompleksi i tyre historik në kryeqytet.

Fitorja e sotme me Vorën e ka certifikuar skuadrën blu si pjesë të Superiores dhe kampione të Grupit A të Kategorisë së Parë një javë para fundit të kampionatit. Dinamo ka dominuar garën në grupin e saj, duke fituar rivalitetin me Burrelin dhe Korabin.

Tifozët e Dinamos disa vite më parë. Gazeta Si, 9 maj 2021

Me ardhjen në krye të klubit të italianit Marko Pontreli, blutë fillimisht siguruan qëndrimin në Kategorinë e Parë, pasi ishin katandisur si mos më keq. Më pas u bë organizimi për një skuadër pretendente që tashmë ka kurorëzuar ngjitjen në elitë. Me Dinamon u bashkuan lojtarë me kualitet, të huaj dhe shqiptarë, ku veçohen katershja pogradecare e përbërë nga kapiteni Pere, Hidri, Berberi dhe Alillari, Da Silva, Paterni, Xhixhiua, Kolgega dhe portieri Bakaj.

Gjatë këtij sezoni Dinamon e kanë drejtuar italiani Fabricio Kamarata, aktualisht trajneri i Apolonisë, Moriero dhe Mikoli në 2 ndeshje dhe javët e fundit Olsi Uku. Prej pak kohësh blutë kanë një president të ri, Ardian Bardhin, dhe tre donatorët Marko Pontreli, Olger Prfti dhe Papuli. Objetivi i tyre është tashmë ndërtimi i një skuadre kompetitive për Superioren.

Me rikthimin e Dinamos në Superiore, shtohen edhe ndeshjet derbi të kryeqytetit, që vitet e fundit kanë qenë vetëm ato mes Tiranës dhe Partizanit. Tashmë të dyja këto skuadra do të sfidohen edhe “nëndetsja” blu. Rikthimi i saj është pa diskutim një vlerë e shtuar në futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë