Futboll

Kristian Pulisiç, sekretet e amerikanit të parë në historinë e një finale Championsi

Rekordet janë vendosur për t’u thyer. Dhe hera e parë, herët a vonë, vjen për çdo gjë. Kristian Pulisiç, ylli i Çelsit finalist të Ligës së Kampionëve, ka një talent jo të zakonshëm në vlerësim. Çështje fati dhe sy të vëmendshëm ndaj surprizave. Si të drejtuesve të Borusia Dortmundit, që rastësisht i dhuruan kualitetit të tij vitrinën më prestigjioze në Europë.

I lindur në Hershey, në Pensilvani – më 18 shtator 1998, – Kristian Pulisiç ka origjinë kroate dhe e njeh futbollin e të mëdhenjve falë Gjermanisë. Pasaporta e tij ka ngjyrat e Borusia Dortmund. Në 2014-ën, siç tregojnë në klubin gjerman, disa vëzhgues talentesh shkuan në Turqi për të ndjekur nga afër Haji Wright – shokun e tij të skuadrës tek Amerika, në një turne 17-vjeçarësh.

Pulisiç me fanellën e Borusia Dortmund. Gazeta Si, 10 maj 2021

Por në ”Signal Iduna Park” janë mësuar me klasin dhe kur e takojnë atë, nuk e lënë t’u ikë nga duart. Dhe klasi i të riut Pulisiç nuk kaloi pa u vënë re, u kuptua menjëherë se ai ishte ideal për lojën e skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klop. Ndryshime që lënë shenjë në histori. Është ai i përzgjedhuri, amerikani i Europës. Në janar të 2015-ës firmosi kontratën, pastaj debutoi me ekipet U-17 dhe U-19.

Një talent i jashtëzakonshëm, me rekorde të parashkruara. Për skuadrën e parë i duhet vetëm pak kohë. “Është shumë i zoti për të luajtur me bashkëmoshatarët e tij”, – thoshin në Dortmund. Dhe kishin të drejtë. Tomas Tuhel, i cili u ul në stolin e Borusias në verën e 2015-ës, e dalloi kualitetin e tij dhe gjatë ndërprerjes dimërore, në janar të 2016-ës, e aktivizoi në miqësore. Dy gola dhe një asist në 3 ndeshje (2 nga të cilët përgjysmë) japin ok-in. Bast i fituar, edhe pse për skeptikët fiziku i tij është ende i papërshtatshëm për futbollin e madh. Karta fituese? Ndërgjegjja për trupin e vet dhe raporti me hapësirën, një potencial i hedhur shpesh në ndeshje e sipër me personalitet.

“Nuk ka frikë. Kurrë”, – shpjegon Tim Hauard, portieri i kombëtares amerikane. Pulisiç djeg etapat në kohë rekord: ai bëhet shënuesi më i ri në moshë i kombëtares amerikane dhe futbollisti më i ri i Borusia Dortmund që luan në Ligën e Kampionëve. Fati është i shkruar.

Pulisiç me fanellën e Amerikës. Gazeta Si, 10 maj 2021

Një detaj që nuk duhet fshehur? Të dy prindërit e tij kanë luajtur futboll në nivel profesionist. Një faktor që ka pasur ndikim, sidomos në Amerikë, ku futbolli është për të rinjtë një sport që bëhet pas shkollës pa shumë frymëzim. Mentalitet për një që ka thënë se frymëzohet nga Figo dhe Runi, çka tregon qartë idetë e tij. Vrap, predispozicion ndaj evolucionit taktik, driblim dhe finesë. Në një stil perfekt europian, pas 4 sezonesh te Borusia Dortmund, valixhet gati për në “Stamford Bridge” në verën e 2019-ës. E ka radhën Çelsi.

Ingranimi është gradual, por kënaqësitë vijnë shpejt. Kundër Bërnlit, në tetor të të njëjtit vit, u bë lojtari më i ri i bluve që ka shënuar një tripletë. Sezon aktual është bërë edhe shënuesi më i mirë amerikan në historinë e Ligës së Kampionëve me 5 gola deri tani, duke pritur finale e Stambollit më 29 maj, për të regjistruar një tjetër rekord: mund të jetë amerikani i parë që luan në një ndeshje të tillë.

Pulisiç feston një gol me fanellën e Çelsit. Gazeta Si, 10 maj 2021

Profili Instagram i asit të Çelsit tregon dedikimin ndaj punës dhe seriozitet. Hapësirë për futbollin, me foto gjithmonë në stërvitje, – dhe pak gjëra të tjera. Si basketbolli, për shembull.

Si një amerikan i mirë, Pulisiç shpesh bën gjuajtje drejt koshit, duke vënë në lojë edhe shokët për t’u argëtuar, ndjek NBA-në dhe simpatizon Cleveland Cavaliers, siç vërtetojnë postimet e tij. Një faktor kyç në rutinën e tij është gjumi. “Për mua është e rëndësishme të shtrihem në shtrat në një orar të përshtatshëm dhe të fle të paktën 8 orë para se të stërvitem. Nëse e bëj këtë, ia dal edhe pa pushime në stërvitje”, – ka thënë ai në një intervistë. Çështje zakonesh…

Në tavolinë, Pulisiç, – siç e ka thënë vetë, – pëlqen ushqimin meksikan, kuzhinën amerikane dhe ëmbëlsirat. Të gjitha ëmbëlsirat, sidomos çokollatën. Ushqimi i përditshëm varet nga oraret e ndeshjeve, por zakonisht ha mëngjes me vezë dhe avokado. Ka edhe një shef personal në kuzhinën e tij. “Më përgatit pjata të shkëlqyera, veçanërisht makaronat me qofte”. E pazakonshme për një amerikan, edhe për atë që ka lindur për të vendosur rekorde.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë