Bota

Ushtarët paralajmërojnë për “luftë civile” në Francë

Një revistë e krahut të djathtë në Francë njofton sot se mbi 100,000 njerëz kanë nënshkruar një letër të hapur të një grupi ushtarësh në shërbim, që paralajmërojnë për kërcënimin e luftës civile në Francë.

Letra, e publikuar të dielën vonë në “Valeurs Actuelles”, e akuzon Qeverinë për “koncesione” ndaj islamizmit dhe thotë se çështja “ka të bëjë me mbijetesën e Francës”.

Revista tha se gati 133,000 njerëz e kanë nënshkruar letrën deri të hënën.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin aleat i ngushtë i presidentit Emmanuel Macron e cilësoi letrën si një “manovër të rrezikshme” dhe akuzoi nënshkruesit e saj për mungesë “guximi”.

Qeveria e ka dënuar edhe një letër të ngjashme, të publikuar muajin e kaluar nga disa zyrtarë francezë dhe 20 gjeneralë, duke e konsideruar si ndërhyrje të papranueshme të ushtrisë në politikë.

Gjenerali më i lartë i Francës është zotuar se ata që qëndrojnë pas letrës, do të ndëshkohen. Numrat dhe gradat e nënshkruesve fillestarë të letrës së fundit janë të paqarta.

Ata e përshkruajnë veten si ushtarë aktivë të gjeneratës së re të ushtrisë që ka shërbyer në Afganistan dhe Afrikë ose që i është bashkuar operacionit të brendshëm anti-terrorist, që ka nisur pas një vale të sulmeve islamiste, në vitin 2015.

Dy letrat vijnë përpara zgjedhjeve të vitit 2022 në Francë, kur sfiduese e presidentit Macron pritet të jetë sërish udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë