Është kthyer Mourinjo, rroftë Mourinjo! Nuk e dimë ditën e konferencës së parë për shtyp, të prezantimit dhe të deklaratës së parë, ndoshta në dialektin roman. “Unë nuk jam një idiot” (në dialekt milanez) me çfarë do të zëvendësohet? Kushedi, presim me besim duke imagjinuar gjithçka, të bindur se kjo goditje në merkato nga Roma vështirë se mund të kalohet nga një tjetër, të paktën nga pikëpamja e impaktit mediatik. Duke ëndërruar për të parë, nëse Mourinjo është ende “The Special One”, le të shohim 5 lëvizjet që mund të bëjë portugezi te verdhekuqtë.
Të fitojë një derbi 9 kundër 11
Në sezonin e tripletës, 11 vjet më parë, momenti më nxehtë i Interit të Mourinjo ishte derbi i fituar 2-0 kundër Milanit, duke luajtur me 10 vetë për 64 minuta dhe me 9 vetë për 3 minuta. Një ndeshje, ku dominimi mental dhe thuajse manupulimi i kundërshtarit nga ana e trajnerit portugez ishte total. Veçanërisht pas ndëshkimit të Shneijderit për duartrokitje ironike ndaj arbitrit Roki. Edhe në inferioritet numerik Interi i dominoi kuqezinjtë, që u përplasën në një mur gome, sikur me 10 të ishin ata dhe jo rivalët.

Si një bllok kolonash greke i pakalueshëm në mbrojtje dhe i shpejtë në kundërsulm, Interi shënoi me Militon, me një asist të pavullnetshëm të Abates, dhe dyfishoi me një goditje të lirë me një tjetër episod, që tregon shumë për magjinë dhe fatin e parashkruar të asaj skuadre: goditje dënimi për Interin në hyrje të zonës me Pandev, gati të zëvendësohej nga Tiago Mota, por që do të gjuajë patjetër. Ekzekutim thjesht perfekt dhe 2-0 e të gjithë në shtëpi, pasi më parë maqedonasi dhe Milito të vetëm kundër gjithë mbrojtjes së Milanit kishin shkuar në portë dhe u ndalën nga shtylla.
“Qershia mbi tortë”, penalltia e pritur nga Julio Cezar ndaj Ronaldinjos, pas të kuqit të Lucios. “Luajtëm një ndeshje, ku nga minuta e parë ndihej se fitorja ishte e jona. Do ta humbnim vetëm nëse do të mbeteshim me 6 lojtarë, edhe me 7 do të fitonim”: Mourinjo është shpërfytyruar pas ndeshjes, mund ta përballojë “zhurmën e armiqve” me gjoksin përpara. E pret një derbi që çdo herë është një betejë.
Rilindja e Santonit
“Il bambino” (vogëlushi) e thërriste Mourinjo me përkëdheli në 2009-ën, kur i dhuroi debutimin në Serinë A 18 vjeç. Tani Davide Santon është 30 vjeç dhe mund të thuhet se piku i tij ka mbetur ai i Interit, etapa e parë, kur ishte një i ri premtues që luante në mesfushë dhe jo mbrojtës krahu. Nuk është se e ka përmirësuar shumë nivelin e tij, mes huazimesh dhe sezonesh anonime si te Njukasëlli. Te Roma përfundoi si shkëmbim me Naingolanin, bashkë me Xaniolon, një operacion që deri tani nuk u ka sjellë fat tre protagonistëve.

Santon, zgjedhje e 4-t e Fonsekës, pas Karsdorp, Spinacolës dhe Bruno Peresit, mund të kthehet i rëndësishëm me trajnerin e parë që besoi tek ai. Të parin që i ka thënë që të mos rrinte shumë me Balotelin, mikun e tij që në atë kohë, me të cilin kalonte shumë kohë, pasi Santon nuk kishte patentë, kurse Supermario po. Në pritje për të mësuar se çfarë do të ndodhë me Xaniolon, rikuperimi i “vogëlushit” do të ishte një arritje për Mourinjon që vitet e fundit është bërë gjithmonë e më shumë si një baba.
Federimi i Rikardo Karvalhos ose Kuaresmës
Roma është qyteti i perandorëve dhe pretorianëve, truprojave të tyre personale. Një grup ushtarësh të zgjedhur, shumë të përgatitur dhe të mësuar me intrigat ndonjëherë: sa prej tyre kanë qenë përgjegjës për vrasjen e perandorëve. Në sport pretorianët janë lojtarët që ndjekin një trajner kudo dhe kjo ndodh në futboll dhe basketboll. Mourinjo, i cili ende nuk është perandor, pretorianë ka pasur shumë, të dobishëm si taktikisht, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes.

Më i njohuri prej tyre është Rikardo Karvalho, mbrojtësi qendror që me “Special One” ka luajtur te Porto, Çelsi dhe Real Madrid. Dhe duket se është një hap larg Interit, nëse nuk parakalohet nga Lucio, duke parë lidershipin që ka braziliani. Karvalho nuk luan më, por mund të ripeshkohet si asistent, siç po bën ish-mbrojtësi tek Olimpik Marsejë. Një alternativë si pretorian, por që luan ende, është Rikardo Kuaresma, një nga gabimet e pakta të merkatos të bëra nga Mourinjo tek Interi. Një “trivelë” e tij me fanellën verdhekuq do të ishte e bukur.
Xheko si mbrojtës krahu
Të hysh në mendjen e lojtarëve dhe t’i bindësh ata të interpretojnë sa më mirë çdo rol. Edhe atë të portierit në rastet më ekstreme. Çfarë do të ishte Interi i tripletës pa aftësinë e jashtëzakonshme të adoptimit, pa përulësinë e një kampioni si Eto të luante 3/4-t e ndeshjeve, sidomos në Ligën e Kampionëve, më shumë mbrojtje se në sulm? Me kryeveprën e “Camp Nou”-t në gjysmëfinalen kundër Barcelonaës, ku ai luajti mbrojtës krahu me skuadrën që mbeti me 10 vetë pas ndëshkimit me të kuq të Tiago Motës.

“Do të vdes interist”, – tha më pas qendërsulmuesi kamerunas. Një emër i rastësishëm nga ata që ka në organikë Roma aktuale: Edin Xheko. Dakord, tani boshnjaku ka një moral të ulët, si e gjithë skuadra dhe ambienti, por nëse është dikush që mund ta rivitalizojë sulmuesin, pavarësisht 35 viteve, është Mourinjo. Si një mbrojtës i shtuar? Ose ndoshta një rol surprizë, i paimagjinuar nga askush.
Një rival/kundërshtar me një mbiemër për ta tallur
Intervistat, edhe ato të improvizuara, na mungojnë shumë. Është si një gjini letrare më vete “Mourinjo shou”, ose “Mourinjo sulmon”. Intervista ironike, thumbuese dhe akzaltuese për tifozët e vet, ngacmuese për ata kundërshtarë. Intervistat e Mourinjos janë një spektakël brenda spektaklit. Më të mirat janë veçanërisht ato kur ai gjen një rival për ta sulmuar, duke nisur nga mbiemri i tij, duke bërë sikur nuk e njeh, ose duke pohuar se e ka bërë më të famshëm se diçka e famshme.
Dy shembuj mbi të gjithë në periudhën e Interit: i pari Pietro Lo Monako, në atë kohë drejtor sportiv i Katanias, që kishte sulmuar portugezin. Përgjigjja e Mourinjos: “Lo Monako? Unë njoh monarkun e Tibetit, Çmimin e Madh të Monakos, Bajernin e Mynihut (Bajern Monaco në italisht), nëse flet për mua, duhet të më paguajë”. Shembulli i dytë, pas një diskutimi të ndezur me Andrea Ramaxotin e “Corriere dello Sport”, i larguar nga konferenca e shtypit në Bergamo, ai ishte justifikuar kështu në konferencë shtypi:

“Tre apo katër ndeshje më parë i thashë zotit Ramaxoti se nuk doja që ai të ishte pranë autobusit për të marrë intervista, pastaj ia përsërita. Si burra mund të zgjidhim gjithçka. Por tani dua ta mbyll këtë histori dhe mënyra më e mirë është ta bëj me humor të mirë, duke thënë se pres prej tij një dhuratë për Vitin e Ri, sepse deri sot Ramaxoti i famshëm ishte Erosi, por prej disa ditësh është Andrea”. Kush do të jetë kundërshtari i radhës që Mourionjo do të ketë në shënjestër për shkak të mbiemrit?
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje