Ne rrjet

Përplasja, raketat e Hamasit dhe sulmet. Çfarë po ndodh në Izrael?

Prej disa javësh, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite, janë duke u përleshur çdo ditë në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit.

Por si filluan trazirat (dy izraelitë të vdekur në Ashkelon; 26 palestinezë në Gaza; qindra raketa të lëshuara nga Hamasi dhe qindra të plagosur)?

Në fillim të Ramazanit, muaji më i shenjtë për myslimanët, policia vendosi barriera rreth sheshit të shkallës përpara portës së Damaskut. Është një vend ku të rinjtë palestinezë takohen në fund të agjërimit të tyre të përditshëm.

Siç shpjegojnë komandantët, masa duhet të kishte shërbyer për të shmangur grumbullimet, ndërsa analistët mbeten të bindur se ishte një ide e keqe. Protestat kundër barrikadave, janë flaka e parë e zjarrit që po ndizet.

Ato u shtrinë në zonën e Malit të Tempullit, ku policia, hyri në ditët e fundit, arrestoi demonstruesit, si dhe sekuestroi gurë dhe shkopinj.

Arabët gjithashtu u përplasën me militantët e ekstremit të djathtë, të cilët marshuan nëpër rrugë, pasi video të sulmeve ndaj kalimtarëve hebrenj qarkulluan në TikTok.

Cila ishte përgjigjja e parë nga qeveria izraelite?

Nën presionin e shërbimeve të brendshme sekrete dhe ushtrisë, kryeministri Benjamin Netanjahu, urdhëroi policinë të hiqte barrierat përpara mureve të Qytetit të Vjetër dhe të përpiqej të ulte tensionet. Pikërisht të hënën, 10 maj, ishte Dita e Jeruzalemit, e festuar nga nacionalistët izraelitë dhe marshimi i ekstremistëve u devijua për të shmangur pikat e fërkimit me palestinezët.

Gjykata e Lartë, gjithashtu ka shtyrë vendimin për dëbimin e mundshëm të rreth njëzet familjeve arabe që jetojnë në zonat e Sheikh Jarrah dhe Silwan (ka pasur protesta të tjera këtu), pasi disa organizata të vendosura, morën konfirmimin e të drejtës së pronës nga gjykatësit për ndërtesat: ato i përkisnin hebrenjve para lindjes së Shtetit të Izraelit në vitin 1948, edhe  pse palestinezët kanë jetuar atje për të paktën 60 vjet.

Trazirat dhe arrestimet vazhduan, megjithatë të hënën u shënuan mbi 300 palestinezë të plagosur në një ditë të vetme.

Pse Hamasi vendosi të ndërhynte?

Lëvizja fondamentaliste, ka dominuar Rripin e Gazës që nga viti 2007, kur mori kontrollin e saj me një grusht shteti ushtarak në Autoritetin Palestinez. Udhëheqësit e organizatës duket se duan të kapërcejnë zemërimin palestinez dhe të qëndrojnë si mbrojtës të Malit të Tempullit, vendi i tretë më i shenjtë për Islamin, i nderuar gjithashtu nga hebrenjtë, sepse edhe tempulli i parë dhe i dytë qëndrojnë atje.

Khaled Meshal, një nga udhëheqësit e Hamasit, ka deklaruar për ditë që Intifada e Tretë është afër: lëshimet e raketave, duan t’iu demonstrojnë palestinezëve të Jeruzalemit Lindor dhe Bregut Perëndimor, se revolta e tyre (kjo do të thotë Intifada në arabisht), do të jetë e mbështetur nga Gaza.

Çfarë roli luan kriza politike izraelite?

Izraelitët kanë votuar katër herë brenda dy viteve. Netanjahu – në pushtet pa ndërprerje që nga viti 2009 – nuk ka arritur të sigurojë një shumicë të mjaftueshme për të formuar qeverinë. Pas zgjedhjeve të 23 marsit, ai u porosit nga presidenti Reuven Rivlin, të përpiqej të bënte së bashku një koalicion.

Ai nuk e bëri atë dhe përpjekja e dytë shkoi tek partia e qendrës, Yair Lapid, e cila në këto orë po bisedon me pjesë të së djathtës (midis përfaqësuesve të kolonëve dhe të mërguarve nga Likud, partia e Netanjahut), me formacionet e së majtës historike (Laburistët dhe Meretz) dhe ishte në dialog me deputetët arabë izraelitë, për të marrë mbështetjen e tyre të jashtme.

Mansour Abbas, në krye të grupit Islamik, tashmë ka ndërprerë negociatat, bombardimi i Gazës gjithashtu i ka vendosur laikët në vështirësi.

Gjithashtu, është e vështirë për të djathtën hebreje të justifikojë një aleancë me pacifistët, ndërsa kanë nisur luftimet dhe qytetet izraelite janë në shënjestër të raketave nga Hamasit.

Nëse Lapid dështon, ka të ngjarë të ketë sërish zgjedhje e votime dhe Netanjahu do të mbetet kryeministër i përkohshëm gjatë kësaj periudhe.

Po përçarjet brenda palestinezëve?

Presidenti Abu Mazen, anuloi zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në fund të majit, ndërsa hera e fundit që palestinezët kishin qenë në gjendje të zgjidhnin zëvendësit e tyre, ishte në 2006-ën, ku Hamasi kishte fituar.

Që nga ajo kohë – dhe sidomos pas grushtit të shtetit në Gaza – fraksionet kanë mbetur të ndara: Fatahu i Abu Mazen (pasardhësit ideologjikë të Yasser Arafat), kontrollon Bregun Perëndimor, fondamentalistët dominojnë Rripin e Gazës, i cili mbeti i vetmi eksperiment i kryer nga Vëllazëria Myslimane (nga e cila rrjedh Hamasi).

Kështu, që edhe brenda lëvizjes, strategjitë janë të ndryshme: i ashtuquajturi krah ushtarak i udhëhequr nga Mohammed Deif, është i bindur se është koha e luftës, ish-komandanti Yahia Sinwar, gjithsesi do të donte të përqendrohej në menaxhimin civil të Rripit për të demonstruar se Islami politik është në gjendje të qeverisë.

Kur paraqiti marrëveshjet e Abrahamit, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kishte shpallur: njohjen e  Jeruzalemit si “kryeqyteti i vetëm dhe i pandashëm i Shtetit të Izraelit”, ku marrëveshjet për paqe do të ishin më të thjeshtra.

Siç dëshmojnë përleshjet e këtij muaji, Jeruzalemi mbetet në qendër të konfliktit izraelito-palestinez. Dhe midis gurëve të diskutueshëm të Qytetit të Vjetër, më të diskutuarit janë shndërruar ata të Malit të Tempullit.

Sura 17 e Kuranit, tregon për natën që Muhamedi u shndërrua në kafshën mitologjike të quajtur Buraq në “xhaminë më të largët”, ku ai udhëhoqi një grup profetësh në lutje para se të ngjitej në qiell.

Në vitin 691, gati 60 vjet pas vdekjes së tij, halifi Abd Al-Malik ibn Marwan dha urdhrin për të ndërtuar një xhami në shkëmb në qendër të malit në 740 metra mbi nivelin e detit.

Në traditën hebraike, shkëmbi është pika e takimit midis Qiellit dhe Tokës, me të cilin Abrahami e lidhi Isakun, është baza e Tempullit të Parë dhe të Dytë, i cili u shkatërrua nga Romakët në ‘70.

Është Saladini – pas marrjes së qytetit pas sundimit 88-vjeçar të Kryqtarëve në 1187-ën – ai që themeloi Vakafin, organizatën islamike që administron vendet e shenjta.

Më të devotshëm se arkeologët, këta kujdestarë ekstremistë, mbajtën funksione nën pushtimin e osmanëve, britanikëve, jordanezëve dhe tani izraelitëve, pasi lagjet arabe u kapën nga jordanezët në Luftën Gjashtë Ditore (1967).

Status quo-ja e përcaktuar më pas nga gjenerali Moshe Dayan, përcakton që hebrenjtë mund të vizitojnë zonën e shenjtë, por të mos luten atje dhe Izraeli të jetë përgjegjës për sigurinë e objektit.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë