Dy boksierët anglezë do të sfidojnë njëri-tjetrin për titullin botëror të unifikuar për peshat e rënda. Promotori Edi Hirn ka bërë të ditur vendin ku do të zhvillohet ndeshja, ndërsa data mbetet për t’u përcaktuar mes 7 ose 14 gushtit.
Zbulohen detaje të reja për një nga dy ndeshjet e vlefshme për titullin botëror të peshave të rënda mes britanikëve Antoni Xhoshua, mbajtës i kurorave VBA, IBF dhe VBO, dhe Tajson Furit, kampion i VBC. Promotori i sfidave, Edi Hirn, është shprehur për “Sky Sports” se ndeshja do të zhvillohet në Arabinë Saudite, në një lokacion të papërcaktuar ende.
Për sa i takon datës së sfidës së parë, Hirn ka pohuar se do të vendoset mes 7 ose 14 gushtit, por duke parë që Olimpiada e Tokios duhet të përfundojë më 8 gusht, me shumë mundësi do të zgjidhet data e dytë. Po ashtu, Hirn ka shpjeguar se po punojnë për takimet të njëjtët persona me ata të revenshit të Xhoshua kundër Andi Ruiz Jr.
Antoni Xhoshua ka rifituar gjerdanin VBA, VBO dhe IBF, duke mundur pikërisht Ruiz në Dirijah, periferi e kryeqytetit saudit Rijad, në dhjetor të 2019-ës. Negociatat në lidhje me përfitimet nga ky “takim i dyfishtë i shekullit” janë mbyllur në mars, siç konfirmon Hirn.
Dy boksierët do ta ndajnë përgjysmë përfitimin e ndeshjes së parë, kurse për ndeshjen e dytë, e parashikuar për në dimër, fituesi do të marrë 60% të të ardhurave dhe humbësi 40%. Për herë të parë do të bëhet një ndeshje, ku përfshihen të katërt gjerdanët e peshave të rënda. Kampioni i fundit i padiskutueshëm i peshave të rënda ka qenë britaniku Lenoks Ljuis, në periudhën 1999-2000.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje