Partia Demokratike thotë se identifikimi elektronik i zbatuar për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit, nuk e eleminoi fenomenin e votimit më shumë se një herë, votimit për persona të tretë, apo votimit familjar.
“Pati probleme me vënien në punë të këtyre pajisjeve, të trajnimit të operatorëve të përdorimit, ndërprerjes së energjisë dhe të tjera”, lexoi ndër të tjera para KAS, avokati i Partisë Demokratike , Marash Loku.
Sipas përfaqësuesve të PD-së, kjo është arsyeja se përse opozita ka kërkuar kryqëzimin e të dhënave të regjistruara nga pajisjet e identifikimit për të identifikuar rastet kur persona të caktuar kanë votuar më shumë se një herë.
“Rezulton se fenomeni i votimit të dyfishtë, falsifikimi i identitetit të zgjedhësve, votimit për të tretë dhe votimi familjar vijoi. Kjo është arsyeja se përse PD ka kërkuar pas kthimit të pajisjeve në KQZ verifikimin e të dhënave duke u kryer kryqëzimi i tyre për të verifikuar rastet kur zgjedhës kanë votuar në qendra votimit të ndryshme, apo më shumë se një herë në të njëjtën qendër”, thotë PD.
Para marrëveshjes së 5 qershorit, identifikimi dhe votimi elektronik ishin kushte të panegociueshme nga Partia Demokratike. Me ndërhyrjën e ndërkombëtarëve dhe sidomos të Ambasadës së SHBA, PD hoqi dorë nga kërkesa për votim elektronik në të gjithë vendin, ndërsa PS u dakordësua për identifikimin elektronik në të gjithë territorin.
Mbikëqyrja e të gjithë punës për identifikimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit, sipas marrëveshjes iu la në dorë zv.Komisionerit të Zgjedhjeve, që po sipas paktit të 5 qershorit iu la Partisë Demokratike.
Për të përmbushur detyrimet e reja të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpenzoi mbi 20 mln euro për identifikimin elektronik, që trumbetohej se do të eleminonte votimin e shumëfishtë. Por, sipas këtij pretendimi të Partisë Demokratike në KAS, 20 milionë eurot e hedhura për këtë teknologji në zgjedhje kanë shkuar dëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje