Dy liderët më të përfolur të Ballkanit zgjodhën të takoheshin në Luginën e Preshevës, zonën që është kthyer në “mollën e sherrit” për ndryshimin e kufijve në rajon. Mes trazirave të brendshme për referendumin, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev u takua me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç për të zyrtarizuar një projekt të rëndësishëm për lehtësimim e kalimit kufitar mes dy vendeve.
Edhe pse asnjëri prej tyre nuk u erdhi në samitin e Ballkanit Perëndimor në Durrës, Zaev dhe Vuçiç nënvizuan marrëdhëniet shumë miqësore mes dy vendeve, duke shtuar se ato do të vazhdojnë të përmirësohen në të ardhmen. Zaev ishte i pari që solli në vëmendje negociatat për ndryshimin e kufijve, duke theksuar se Maqedonia mbështet një zgjidhje pozitive për Kosovën, e cila do të përmirësonte sipas tij, jetën e serbëve dhe shqiptarëve dhe do të garantonte paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Serbisë dhe Kosovës.
“Maqedonia ka mbështetur një zgjidhje pozitive për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, duke garantuar një paqe të përgjithshëm dhe siguri. Një progres edhe për Serbinë dhe Kosovën dhe të gjithë ne”, deklaroi ai.
Kryeministri maqedonas theksoi gjithashtu rëndësinë e unitetit të liderëve rajonalë rreth qëllimit të përbashkët të bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimit në BE. “Është detyre e jona si lider të këtij rajoni që të bien dakord për të krijuar një të ardhme drejt Bashkimit Europian, bashkëpunim rajonal dhe një paqe të përhershme”, u shpreh Zaev.
Komentet e tij u pasuan nga ato të Presidenti Vuçiç, i cili e konsideroi procesin e negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës, si mundësia e fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve. Ai tha se do të ishte mirë që serbët dhe shqiptarët të rregullonin marrëdhëniet e tyre, sepse të dyja vendet kanë nevojë për paqe dhe stabilitet, Por deklarata më e papritur e Presidentit serb erdhi kur tha se Prishtina dhe Beogradi nuk duhet t’u shërbejnë interesave të fuqive të mëdha.
“Ne jemi ata që jetojmë këtu dhe na takon ne të vendosim se si do ta jetojmë të ardhmen. Nuk duhet të përmbushim dëshirat e të tjerëve”, deklaroi Vuçic.
“Fakti që Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi e konsiderojnë Kosovën si një vend të unifikuar dhe të pavarur nuk është asgjë e re”, vuri në dukje presidenti serb, duke theksuar se ai ka të drejtë të mendojë ndryshe.
“Ne duam vetëm të kemi të drejtën për të mbrojtur interesat tona, pa rrezikuar stabilitetin e të tjerëve- tha presidenti. “Zgjidhja e ndërsjellë do të ishte më e dobishme për paqen, stabilitetin dhe begatinë e rajonit”, përfundoi ai.
Vuçiç u irritua nga një pyetje e gazetarëve francez dhe tha se vështirë beson se zgjidhja do të ndodhë për Kosovën.
“Nuk e di nëse do ta na lejoni që të zgjidhim problemin mes shqiptarëve dhe serbëve që është konflikt më shumë se prej 200 vitesh. Unë shpresoj se po edhe pse nuk jam optimist. Zgjidhja e konflikteve në mes të shqiptarëve dhe serbëve është kontributi më i madh për stabilitetin në rajon. Kemi shikim të ndryshëm se ku janë kufijtë”.
Marrëveshje Serbi-Maqedoni për kufirin
Serbia dhe Maqedonia, së shpejti do të afrojnë kufijtë në një projekt për të lehtësuar kalimin e qytetarëve në njërën prej traseve më të shkelura të Ballkanit. Projekti është quajtur “One Stop Shop” dhe është i pari i këtij lloji në Ballkan. Në fjalën e tij, Zaev shpjegoi se pritja në pikat kufitare i kushton Ballkanit 1 miliard euro çdo vit dhe se 80 për qind e kohës së nevojshme për transportin e mallrave shpenzohet nëpër pikëkalime, dhe 20 për qind në rrugë.
“Këto të dhëna- tha ai- tregojnë se qeveritë e rajonit duhet të veprojnë sa më shpejt dhe të jenë të dobishme për qytetarët e tyre. Projekti do të thotë se do të kemi një pikë të përbashkët, e cila do të lehtësojë udhëtimin ndërkufitar për turistët dhe do të reduktojë ndjeshëm kohën e pritjes në vendkalimet kufitare”.
“Projekti është i rëndësishëm në mënyrë që njerëzit të mos humbin kohë nëpër dogana”, deklaroi nga ana tjetër Presidenti Vuçiç. “Kjo është shumë e rëndësishme për ekonominë e të dyja vendeve dhe do të nxisë turistët të vizitojnë vendet tona”.
Zaev shtoi se projekti do të zyrtarizohet pasi administratat doganore të dy vendeve, Ministritë e Brendshme, dhe shërbimet veterinare të nënshkruajnë marrëveshjen dypalëshe. Por Vuçiç e ndërpreu, duke deklaruar me entuziazëm se inaugurimi do të zhvillohej përpara këtij fundviti.
Burimet: “European Western Balkans”, “MIA Agency”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje