Politike

Basha: Më 25 prill nuk mbaroi ndeshja, në PD ka vend për të gjithë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me strukturat në Lezhë, tha se diferenca më 25 Prill ishte e ngushtë, pavarësisht asaj që ai e cilësoi si “deformim dhe vjedhje e votës” nga pala kundërshtare.

Basha tha se 25 Prilli është ende i pambyllur kur e krahasoi atë proces me një ndeshje futbolli.  

 “Regjimi Rama-Doshi nuk do të ketë paqe asnjë çast derisa vala e ndryshimit që kemi ngritur së bashku ta përmbysë. Me të vërtetë ndeshja ndalon kur bëhet një faull, meqë i pëlqen shumë futbolli hajdutit të zgjedhjeve të 25 prillit, siç e dinë të gjithë tifozët e sportit këtu ndonëse unë nuk shquhem, ka kohë që nuk e ndjek dot aq sa dua, por e dimë që kur bëhet një faull nuk mbaron ndeshja. Jepet karton i kuq dhe gjuhet faulli apo penalltia. Me 25 prill nuk ka mbaruar ndeshja.

Shqiptarët po e ngrenë dhe do i ngrenë kartonët e kuq. Detyra jonë nuk ka mbaruar. Vala e shpresës për ndryshim nuk mund dhe nuk do të bjerë. As Edi Rama, as Tom Doshi, as Aqif Rakipi dhe as bandat e Durrësit, të Shijakut e të Krujës, të Fushë-Krujës, të Kurbinit e të Lezhës, të Shkodrës, askush tjetër nuk mund ta marrë peng këtë vend…”, tha Basha.

Ai foli sërish për zërat kundër ne parti, duke theksuar ashtu si edhe në takimin e zhvilluar në Durrës të martën se ai do të vijojë betejën e tij “për ndryshimin”    

“Partia Demokratike ka qenë dhe është një shtëpi e madhe ku gjithkush ka dhe do të ketë kontributet e veta, sakrificën dhe lirinë e vetë për shprehjen e mendimit, ka të mirat, gabimet dhe të këqijat e vetes dhe këtu fus këdo duke filluar nga vetja ime. Por në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt. Ndaj, le t’i dëgjojmë, le t’i mirëpresim të gjithë kritikat konstruktivë, idetë dhe konceptet teksa bëhemi gati që mbi 680 mijë shqiptarë që na besuan në valën tonë të ndryshimit t’i udhëheqim në vazhdimin e kësaj beteje deri në fund”.

Basha tha se lezhjanët do të votojnë shpejt për përfaqësuesit e tyre, porse tani vëmendja duhet të jetë tek mobilizimi për faktimin e “vjedhjes së zgjedhjeve”   

“Ju e keni pasur dhe shumë shpejt do ta keni përsëri të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit tuaj me votë, por tani e gjithë vëmendja jonë duhet të jetë tek mobilizimi i çdo energjie të demokratëve, të mbështetësve tanë të atyre që na besuan pavarësisht nëse janë apo jo votues tanë për t’ia bërë të qartë regjimit Rama-Doshi se për ne ditët e tyre janë të numëruara. Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, asnjë formë, asnjë mënyrë, asnjë  hapësirë pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë