I dorëhequr nga Bindja Demokratike sepse nuk siguroi mandat parlamentar, Astrit Patozi shkruan në Facebook se është fakt i pamohueshëm se këto zgjedhje i dhanë të drejtë sistemit politik bipolar, porse ai vijon t’i mbetet mendimit se ndryshimi mund të vijë nga pjesa tjetër e shoqërisë.
“Pas 25 prillit ata që i mëshojnë idesë se Shqipërisë i mjaftojnë dy parti, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë, kanë më shumë argumente për t’u ndjerë të realizuar dhe të lumtur.
Por unë vazhdoj të besoj se ky vend do të jetë më i lirë, më i drejtë, më i pakorruptuar dhe më demokratik, vetëm në rast se do të ndryshojë mendësia e drejtimit të tij.
Mjafton të shikosh se me çfarë arrogance po e përcjellin rezultatin e 25 prillit të dyja palët, si fituesit ashtu edhe humbësit, për t’u bindur se shërimi nuk mund të vijë prej garnizoneve politike, por nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Njëra palë po i gëzohet fitores së tretë, që nuk e di për farë arsyeje jopolitike konsiderohej e pamundur, kurse tjetra po fërkon duart ngaqë ka arritur të sigurojë monopolin e opozitës për katër vjet. Por është iluzion të mendosh se ato janë ushtri të pathyeshme, sepse politika është dinamike dhe si e tillë e paparashikueshme në terma afatgjatë”, shkruan ai.
“Mund të duket si ide romantike, por sot më shumë se asnjëherë tjetër ka vlerë një projekt politik, i cili sjell një model të ndryshëm nga ai, që përfaqësojnë sot dy partitë kryesore në vend.
Qofsha i gabuar, por unë nuk besoj se duhen shpenzuar ende energji për t’i ndryshuar nga brenda formacionet politike, të cilat nuk bëjnë zgjedhje. Do të mjaftonte ky fakt për t’ia kursyer vetes dhe publikut, si kohën, ashtu edhe përpjekjet”, vëren ai.
Problemi, sipas Patozit, është se Shqipëria nuk mund ta presë ndryshimin asnjëherë nga qeveria, por nga opozita.
“E gjithë barra është e opozitës, e cila në rastin më të keq duhet të rishpikë vetveten, që minimumi të shpresojë një përmbysje të raporteve të forcave politike në vend në zgjedhjet e radhës.
Koha ka treguar se opozita e mund qeverinë, vetëm në rastet kur tregon se është e ndryshme prej saj, dhe jo kur thjesht e rivalizon për t’i marrë pushtetin. Kjo është ligjësi e përbotshme, e cila është provuar me një saktësi perfekte edhe në Shqipëri, sa herë ka pasur zgjedhje”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje