Bota

Kritikoi Donald Trump, republikanët largojnë nga drejtimi ligjvënësen Liz Cheney

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan të mërkurën  për largimin e ligjvënëses Liz Cheney nga posti udhëheqës i partisë së tyre, lidhur me kritikat e saj ndaj pretendimeve të ish-Presidentit Donald Trump për mashtrime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar.

Liz Cheney, vajza e ish-Nënpresidentit Dick Cheney, humbi postin e saj në krye të Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, posti i tretë më i lartë, përgjegjëse për komunikimin e mesazhit të republikanëve për publikun e gjerë.

Vendimi u mor në një mbledhje me dyer të mbyllura.

Mbrëmjen e së martës, zonja Cheney mbajti një fjalim të zjarrtë në Kongres drejtuar udhëheqjes së partisë së saj.

“Zgjedhjet kanë mbaruar. Ky është ligji dhe procesi ynë kushtetues. Ata që refuzojnë të pranojnë vendimet e gjykatave tona janë në luftë me kushtetutën. Detyra jonë është e qartë. Secili prej nesh që ka bërë betimin duhet të veprojë për të parandaluar shpërbërjen e demokracisë sonë. Kjo nuk ka të bëjë me politikën apo partinë. Ka të bëjë me detyrën tonë si amerikanë. Heshtja dhe injorimi i gënjeshtrës e trimëron gënjeshtarin. Unë nuk do të marr pjesë në të. Nuk do të heshtë ndërsa të tjerët e çojnë partinë tonë në një shteg që braktis shtetin ligjor dhe i bashkohet kryqëzatës së ish-presidentit për të minuar demokracinë tonë.”

Ligjvënësja Elise Stefanik, përfaqësuese e Nju Jorkut në Kongresin amerikan, e cila ka mbështetur me forcë pretendimet e ish-Presidentit Trump, ka të ngjarë të zgjidhet për të zëvendësuar zonjën Cheney në krye të konferencës republikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë