Të gjitha skuadrat kryesuese të Serisë A kanë fituar në javën e 36-të, duke e mbajtur të pandryshuar renditjen, me Juventusin që vazhdon të qëndrojë jashtë zonës së Ligës së Kampionëve, pavarësisht fitores 1-3 në fushën e Sasuolos. Bardhezinjtë mbeten 1 pikë pas Napolit të vendit të 4-t dhe me kalendar më të vështirë se skuadra e Elseid Hysajt.
Interi kampion ka mundur 3-1 Romën e Kumbullës. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta në mbrojtjen tashmë me 4 të Romës, pa mundur t’i bëjë ballë skuadrës më të mirë të kampionatit. Atalanta e Berat Gjimshitit mposhti 2-0 Beneventon, duke mbajtur vendin e dytë, me pikë të barabarta me Milanin (75), por ajo që bie në sy është fitorja me 7 gola e kuqezinjve.
Pa Zllatan Ibrahomoviçin e dëmtuar dhe që e ka mbyllur sezonin, Pioli e nisi nme Rebiçin në sulm dhe kroati realizoi 3 herë në portën e Torinos. Dy gola shënoi Teo Hernandez dhe nga një gol Brahim Diaz dhe Kesi me penallti. Një tjetër fitore e rëndësishme në transfertën torineze kjo për Milanin, që është gjithmonë e më afër Championsit.
Lajmi pozitiv për Kombëtaren kuqezi është rikthimi në fushë i portierit Tomas Strakosha. Ai u aktivizua nga minuta e parë ndaj Parmës dhe Lacio arriti të fitonte 1-0, me një gol të shënuar në shtesë nga Imobile. Më në fund trajneri Inzagi ka vendosur të besojë sërish te Strakosha, që ka qëndruar në stol prej një kohe të gjatë. Titullar ishte edhe Muriqi, por që u zëvendësua me fillimin e pjesës së dytë.
Seria A, java e 36-të
Kaljari-Fiorentina 0-0
Atalanta-Benevento 2-0
Bolonja-Xhenoa 0-2
Inter-Roma 3-1
Lacio-Parma 1-0
Sampdoria-Specia 2-2
Sasuolo-Juventus 1-3
Torino-Milan 0-7
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje