Politike

Basha: Zgjedhjet nuk do të njihen kurrë, kjo qeveri jo legjitime, jo pakt me Ramën

Kryetari i  PD-së, Lulzim Basha tha gjatë një takimi me demokratët në Fier se opozita nuk do t’i njohë për asnjë arsye këto zgjedhje, nuk do të ketë bashkëpunim me Edi Ramën dhe kjo qeveri nuk njihet prej tyre.

“Çfarë zgjidhi 25 prilli për qindra naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë? Çfarë zgjidhi për mijëra fermerë të Myzeqesë? Çfarë zgjidhi për bizneset e vogla? Çfarë zgjidhi për ata mjeran të cilët pasi i varfëroi deri në palcë ua bleu dinjitetin me një grusht parash të vjedhura po nga xhepat e tyre? Asgjë! Dhe këtu vijmë tek konkluzioni ynë i parë.

25 prilli tregoi se demokratët pa asnjë mjet pushteti në dorë, vetëm me shpirtin e tyre janë në gjendje të bëjnë një mobilizim masiv dhe t’i kundërvihen një pushteti të tërë e ta çojnë në buzë të greminës gati për ta hedhur aty ku e ka vendin.

Padiskutim me këtë vjen edhe  konkluzioni i dytë i cili besoj se nuk është sekret as  për strukturat tona dhe as për qytetarët shqiptarë, masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet  rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet. Për këtë nuk ka pikë diskutimi…”, tha Basha.

Kryetari i opozitës nënvizoi se nuk do të njihet as qeveria “Rama”, duke përcjellë edhe deklarata butaforike të tipit se duhet të ketë arrestime të atyre që kanë qenë në krye të masakrës zgjedhore

“Çdo iluzion tjetër se ne mund të pranojmë si qeveri të ligjshme një regjim që ka shkelur çdo rregull, çdo ligj dhe Kushtetutën e vendit, çdo iluzion i tillë është një ëndërr e kotë me të cilën mbajnë veten me gajret…

Populli e ka një thënie “Ruaju nga zemërimi i të duruarit” Ndaj, koha po skadon me shpejtësi që institucionet t’i përgjigjen sfidës që kanë, sfidës që kanë për të arrestuar dhe vënë prapa hekurave autorët dhe urdhëruesit e masakrës elektorale të 25 prillit, jo cironkat…

Edhe një herë, askush të mos ketë asnjë dyshim, rezultati i masakrës elektorale të 25 prillit është i papranueshëm dhe nuk do të pranohet kurrë.

Shanset për të bashkëpunuar me hajdutin e shpresës së shqiptarëve, me njeriun, me regjimin Rama-Doshi, që ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që e duan të gjithë, po them të gjithë, edhe socialistët, shanset, pra, opsioni për të bashkëpunuar me këtë krim që u krye faqe gjithë shqiptarëve dhe botës, janë zero. Kush nuk e ka dëgjuar, le ta dëgjojë. Kush nuk e ka kuptuar, le të ngrejë dorën…”, tha ai, duke përcaktuar piketat.

 “Zgjedhjet nuk do të njihen, objektivi ynë politik është rrëzimi një orë e më parë i regjimit Rama-Doshi, me të cilin nuk do të ketë asnjë bashkëpunim, por vetëm betejë, asnjë minutë paqe deri në shporrjen e tij dhe deri në kthimin Shqipërisë shqiptarëve…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë