Partia Demokratike akuzon Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve për përseritje të shkeljes së ligjit me vendimin për të rrëzuar kërkesën e kësaj partie për marrje provash shtesë nga institucionet shtetërore.
“Me një vendim që ne e quajmë të kundraligjshëm vendosi përsëri të mos marrë provat e kërkuara nga opozita dhe PD, lidhur me veprimtarinë dhe sjelljen e institucioneve, në momentin e përgatitjes së procesit zgjedhor të datës 25 prill, përkundër kjo detyrimit që Neni 137 i Kodit Zgjedhor e parashikon qartë që “Kur këto prova gjenden në disponibilitetin e institucioneve, atëherë është KQZ, në rastin konkret KAS, t’u drejtohet dhe t’i marrë këto prova”, deklaroi përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso.
Kaso foli për mediat pas vendimit të KAS për të rrëzuar kërkesën e PD për Qarkun Berat.
“Kjo vendimmarrje konstante për të mos administruar provat që ne kërkojmë shkon në drejtim të kundërt të transparencës të procesit zgjedhor dhe në drejtim të kundërt jo vetëm të pritshmërisë, jo vetëm të opozitës, e cila është ankuese në këtë proces por gjithë shqiptarëve dhe gjithë zgjedhësve për transparencë mbi çdo aspekt, ende të errët të masakrës zgjedhore të 25 prillit”, vijoi Kaso.
“Partia Demokratike u është drejtuar zyrtarisht institucioneve për t’i kërkuar këto prova, por provat të cilat demaskojnë sjelljen e paligjshme dhe tërësisht të vënë në shërbim të partisë në pushtet, të gjithë institucionet e shtetit shqiptar, sigurisht ato nuk janë vënë dhe nuk besoj se do t’i vihen ndonjëherë në dispozicion opozitës. Detyrimi është i qartë, që provat t’i vihen në dispozicion procesi ankimor, në kuadrin e një bashkëveprimi institucional që KAS duhet të ketë me institucionet e tjera të shtetit shqiptar që i disponojnë të plota këto prova. Dhe për sa kohë që këto prova nuk merren, nuk disponohen; procesi ankimor nuk mund të jetë i plotë, nuk mund të jetë i qartë dhe çdo mosmarrëveshje zgjedhore nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë”, tha Kaso.
PD këmbëngul se provat e saj janë të mjaftueshme për të legjitimuar kërkesën drejtuar KAS.
“Partia Demokratike ka paraqitur një numër të madh provash mbi çdo aspekt të administrimit dhe procesit zgjedhor që ajo ka mundur të sigurojë. Por, Partia Demokratike nuk është institucion ligjzbatues, nuk ka kompetencat që kanë institucionet shtetërore”, tha Kaso.
Ankimimi në Kolegjin Zgjedhor i vendimeve të KAS nuk përjashtohet.
Në ditët në vijim besoj do të kemi rast të shohim edhe shqyrtimin e kërkesave të tjera ankimore dhe shpresojmë që thirrjet tona për administrim të të gjitha provave që vërtetojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit të merren në konsideratë dhe institucionet të zbatojnë detyrimin që ligji iu përcakton. Për sa kohë që ne jemi në kuadër të shqyrtimit të një mosmarrëveshje zgjedhore, ne flasim për gjithçka çfarë ka ndodhur dhe pritshmëria jonë për institucionet, për KQZ, për KAS, për Kolegjin Zgjedhor është që ato të zbatojnë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Sa herë që kjo nuk ndodh, ne siç kemi bërë në të shkuarën, do të jemi këtu për të denoncuar moszbatimin e ligjit, shkeljen flagrante të tij dhe pse jo reformat e ardhshme zgjedhore le të trajtojnë gjithçka që ndodh në këtë proces”, mbylli fjalën e tij para mediave Ivi Kaso.
Pas kësaj deklarate të Kasos, përfaqësuesi tjetër i PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Marash Logu i ka drejtuar 10 pyetje KAS-it
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për 180 kallëzimet penale të PD-së?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova Agjencisë Shtetërore të Kadastrës mbi numrin e legalizimeve të dhëna gjatë periudhës zgjedhore?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova administratës publike, bashkive dhe kompanive shtetërore mbi numrin e të punësuarve gjatë periudhës zgjedhore?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova Ministrisë së Financave për 63 milionë euro paga më shumë gjatë periudhës zgjedhore se një vit më parë?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 61 bashkive për 2.6 milionë euro më shumë ndihmë ekonomike gjatë periudhës zgjedhore se një vit më parë?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova bashkive socialiste për 125 milionë euro të dhëna gjatë periudhës zgjedhore ose 89 herë më shumë se 15 muajt e fundit?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova Agjencisë së Prokurimeve Publike për numrin e tenderave, koncensioneve dhe PPP-ve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova SHISH për numrin e rasteve të referuara agjencive ligjzbatuese, lidhur me krimet zgjedhore?
- Pse KAS refuzon t’i kërkojë prova Drejtorisë së përgjithshme të Gjendjes Civile për numrin e qytetarëve që transferuan adresat e tyre në vitin parazgjedhor?
- Lista mund të vazhdojë, por #kryepyetja mbetet: PSE KAS REFUZON TË BËJË TRANSPARENCË TË PLOTË PËR SHQIPTARËT MBI MASAKRËN ZGJEDHORE TË 25 PRILLIT?!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje