Një vendim i Këshillit të Ministrave dhe katër vendime të Këshillit Bashkiak të Tiranës u morën në shkelje të Kodit Zgjedhor gjatë periudhës kur vendi ishte zyrtarisht në fushatë elektorale.
Këto janë gjetjet e raportit të pestë të monitorimit të zgjedhjeve nga ana e Akademisë së Studimeve Politike, që thotë se në total, pra që nga 25 dhjetori, periudhë kur Kodi Zgjedhor vendos një sërë kufizimesh në vendimmarrjen e institucioneve, janë 14 ligje, dy aktë normative, 10 vendime të Këshillit të Ministrave dhe 7 vendime të këshillave bashkiakë.
Akademia e Studimeve Politike ka renditur katër vendimmarrjet qendrore e vendore, që janë marrë pas datës 25 mars dhe para datës së zgjedhjeve, më 25 prill.
Vendimi i parë lidhet me heqjen përkohësisht të tarifave të shfrytëzimit të ambienteve publike nga ana e bareve dhe restoranteve në Bashkinë e Tiranës. Data e këtij vendimi është 6 prill dhe është marrë me propozim të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
Arsyetimi i këtij vendimi është marrë për krijimin e lehtësirave fiskale ndaj biznesit në kuadër të masave për përballimin e pasojave të Covid. Nga ky vendim, bizneset bare, lokale e restorante të Tiranës që ushtrojnë veprimtari të tyre në hapësira publike do ta bëjnë këtë falas për muajt prill deri në shtator. Në të njëjtin vendim shtyhet me një muaj afati i pagesës së tarifave vendore për këto biznese deri më 20 maj.
Në të njëjtën datë, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë edhe dy vendime të tjera për t’u paguar qiranë disa familjeve në nevojë për një vit. Në vendimin e parë, shumia e vënë në dispozicion është 338 mijë lek dhe në vendimin e dytë 274 mijë lek. Efektet financiare të këtyre vendimeve përcaktohet që të mbulohen nga fondi i bonusit të strehimit të Bashkisë së Tiranës.
Më datë 19 prill, pra gjashtë ditë para zgjedhjeve, Këshilli Bashkiak i Tiranës, sipas Akademisë së Studimeve Politike ka dalë me një tjetër vendim të ngjashëm me shumën 396 mijë lek. Edhe në këtë rast, kohëzgjatja e pagesës së qirasë për familjet në nevojë përcaktohet për një vit.
Për Qeverinë përmendet vendimi i marrë më 21 prill, katër ditë para zgjedhjeve, ku për “përcaktimin e masës së financimit, në buxhetin e vitit 2021, për bashkësitë fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”. Qeveria ka vendosur vendosur financimin, në masën 113 milionë lekë, nga fondet e buxhetit të shtetit, për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, në formën e financimit të gjysmës së pagës minimale buxhetore për rreth 508 punonjë të këtyre bashkësive fetare në Shqipëri, si dhe financimin e ndërtimit të teqesë së Elbasanit etj,.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje