Futboll

Kampionë në grupe, Dinamo dhe Egnatia festojnë me trofeun para finales së madhe

Dinamo dhe Egnatia e kishin siguruar matematikisht ngjitjen në Superiore pak javë më parë. Sot fituesit e grupeve A dhe B në Kategorinë e Parë kanë festuar me trofeun simbolik të vendit të parë, ndërkohë që më 22 maj do të diskutojnë në “Elbasan Arena“ trofeun “e madh” të kampionit të së Parës.

Dinamo, që e mbylli kampionatin me humbjen e sotme në Burrel, ka dominuar Grupin A, duke e merituar plotësisht rikthimin në elitë pas 9 vitesh. Ngjitja e “nëndetëses”, një prej shkollave më të njohura të futbollit shqiptar, është përshëndetur nga të gjithë, jo vetëm nga tifozët blu, pasi Dinamo i ka munguar Superiores.

Egnatia feston me trofeun e kampionit të Grupit B. Gazeta Si, 15 maj 2021

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Egnatia në Grupin B. Skuadra rrogozhinase, falë një projekti shumë serioz, ka sfiduar skuadrat e traditës në këtë grup, si Besa, Tomori, Flamurtari dhe Lushnja. Edhe për Egnatian do të ishtë një rikthim në elitë, pasi edhe më parë kjo skuadër ka marrë pjesë në Superiore.

Këto dy skuadra, sidomos Dinamo, pritet të jenë protagoniste edhe në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar, ambiciet e tyre nuk mbyllen me ngjitjen në Superiore. Tani rrogozhinasit dhe kryeqytetasit do të përgatiten për finalen e 22 majit, ku veç trofeut, janë në lojë edhe 30 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë