Futboll

Kumbulla shijon suksesin e parë në derbi, Roma nuk fitonte prej 959 ditësh

Derbi Roma-Lacio nisi pa asnjë futbollist shqiptar në fushë (vetëm kosovari Muriqi titullar), por fati deshi që Marash Kumbulla të hynte që në pjesën e parë, pas dëmtimit të Ibanjez, dhe të shijonte suksesin e parë në një derbi të kryeqyetit. Roma triumfoi 2-0, duke fituar derbin pas 959 ditësh.

Kumbulla ka bërë një paraqitje relativisht të mirë. Mbrojtësi kuqezi është vlerësuar me notën 6 nga specialistët e futbollit në Itali. Tashmë ai po aktivizohet në një mbrojtje me 4 lojtarë, ashtu siç pritet të luajë skuadra me trajnerin e ri Zhoze Mourinjo, i cili nuk nguroi të përcillte komplimentet për fitoren pas derbit. Me siguri portugezi po mban shënime edhe për Kumbullën, ashtu si për të gjithë lojtarët e tjerë.

Roma feston golin e Mkhitarian. Gazeta Si, 16 maj 2021

Tomas Strakosha pritej të kishte një fanellë titullari në derbi, pas paraqitjes së mirë ndaj Parmës, por trajneri Inzagi e ka kthyer në stol, duke i besuar veteranit Reina. Portieri kuqezi nuk është ndjerë mirë, sigurisht, por duhet të respektojë vendimin e stafit teknik, ndërkohë që mundësitë e largimit nga Lacio mbeten të hapura.

Nga futbollistët e Kombëtares, një paraqitje të mirë ka bërë mbrojtësi Ardian Ismajli, titullar në fitoren 4-1 të Specias ndaj Torinos. Një sukses ky që e shpëton skuadrën e futbollistit kuqezi nga rënia nga kategoria. Gjimshiti ishte titullar me Atalantën, si gjithmonë, por këtë herë nuk ishte në nivelin e zakonshëm. Sot është radha e Elseid Hysajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë