E ardhmja e Zinedin Zidan duket larg stolit të Real Madridit. Francezi vazhdimisht ka dhënë sinjale të një largimi të mundshëm, madje, sipas medieve iberike, ai ia ka komunikuar edhe skuadrës vendimin e tij për të ikur në fund të këtij sezoni.
Në këtë situatë, drejtuesit e Realit kanë një listë me emrat e kandidatëve për tu ulur në stolin madrilen. Emrat e parë janë Raul Gozalez, ish-sulmuesi i famshëm i Realit, dhe Masimiliano Alegri, ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit. Raul stërvit ekipin B të Realit dhe ka avantazhin se i njeh më mirë të rinjtë e klubit, kurse Alegri ka si “armë” më të fortë eksperiencën e madhe në nivele të larta. Po ashtu, italiani është kërkuar nga presidenti Florentino Perez edhe 3 vjet më parë.

Një emër tjetër është ai i Joakim Lëv, i cili do të largohet nga drejtimi i Gjermanisë, por kandidatura e tij ka më pak shanse se ato që përmenden më lart. Sipas asaj që bën me dije “As”, një media shumë pranë Realit, Alegri është favorit dhe Raul plani B. Me siguri Alegri do të ishte entuziast të drejtonte klubin më prestigjioz në botë. Fjalët e Florentino Perez në konfidencë me miqtë (kam zgjedhur një trajner të madh) të bëjnë të mendosh për italianin.
Zinedin Zidan, idhull i tifozërisë juventine, është emri më i mundshëm për të pasuar Andrea Pirlon. “Maestro” do t’i japë lamtumirën Juventusit në fund të muajit dhe ai që pritet të marrë vendin e tij është pikërisht trajneri francez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje