Politike

Basha, demokratëve: S’bëj pakt me Ramën, diferenca ishte e ngushtë, për lidershipin do votoni ju

Pak orë para mbledhjes së strukturave më të larta të partisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ndau një mesazh nga takimi me demokratët në Elbasan.  

“Sot nga Elbasani kam një mesazh;

Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit.

Atyre që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ju them ejani në Elbasan dhe shikoni se si prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit.

Atyre që pyesin pse nuk jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Edi Ramën, ju them ejani në Elbasan. Ejani dhe shikoni se si janë bërë njësh pushteti me krimin, krimi me pushtetin…”

Më tej ai shtoi: “Kush mendon se në do të biem në paqe me këtë realitet, kush mendon se ne do të ulim kokën para këtij realiteti, kush mendon se ne do të bashkëpunojmë me autorët e këtij realiteti, me Edi Ramën, dhe çirakun e tij në Elbasan e kudo tjetër, e ka gabim. Kjo nuk ka për të ndodhur. E kundërta do të ndodhë. E vetmja rrugë për të çliruar  Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave, të gjithë atyre 680 mijë shqiptarëve që na ndoqën me fuqinë e zemrave të tyre dhe çdo shqiptari tjetër që e ka kuptuar se nuk ka të ardhme për këtë vend pa u bërë të gjithë bashkë dhe pa e rrëzuar një orë e më parë regjimin Rama-Doshi”.

Por Basha nuk u la pa kujtuar demokratëve të Ebasanit se diferenca mes mazhorancës dhe opozitës ishte e ngushte këto zgjedhje.

“Diferenca me të gjitha manipulimet zgjedhore  përbehet vetëm nga votat e një familje kriminale, që është familja e Aqif Rakipit, djali dhe dhëndri i të cilit mblodhën më shumë vota se Edi Rama.

Diferenca është pothuajse njësoj sa votat e mbledhura nga çiraku i Edi Ramës në qarkun e Elbasanit, dy herë më shumë sesa vetë ai është prova më flagrante për këdo që kërkon prova se çfarë ndodhi në Elbasan.

E pra, mos ta harrojmë në radhë të parë se ky është fryt i punës dhe kurajoze tuaj. Asgjë tjetër nuk do t’i kishte rezistuar shtetit të bërë njësh me Partinë Socialiste dhe partisë të bërë njësh me shtetin dhe bandat dhe krimin e organizuar përveç bashkimit të zemrave të demokratëve dhe vendosmërisë për të qëndruar siç qëndruam.

E dyta, shtrihet përtej radhëve tona e ka të bëjë me ata 680 mijë shqiptarë që na  ndoqën në këtë betejë. Na ndoqën sepse besuan se beteja nuk bëhej për karriget tona, nuk bëhet thjesht dhe vetëm për rotacion, por bëhet për një ndryshim për ta…”

Në fund edhe një qëndrim për zërat kritike në PD lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe votimin së afërmi për kryetarin e partisë.  

“…Në këtë shtëpi të madhe nuk ka të tepërt, ndaj çdo mendim, ide, kritikë konstruktive duhet të jetë e mirëpritur.

Dhe kjo shtëpi e madhe ka një rregull të vërtetë dhe unik në aplikimin e tij, pushteti buron nga anëtarët e Partisë Demokratike, jeni ju ata që vendosni në votë përfaqësuesit tuaj dhe drejtuesit tuaj. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë shumë shpejt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë