Futboll

Sfida e titullit Teuta-Partizani/ Martini: Ndeshja e karrierës! Daja: Shansi i fundit

Kanë mbetur edhe 3 javë, Teuta është 3 pikë para Partizanit rival dhe nesër ka mundësinë më të mirë të mbyllë llogaritë. Një fitore e mundshme e durrsakëve do të “hipotekonte” titullin, ndërsa Partizani do ta kalonte situatën në favorin e tij vetëm duke marrë 3 pikët, që do të vlenin edhe për një pozicion më të mirë sa u takon përballjeve direkte.

Ndeshja që luhet nesër në “Niko Dovana”, me 90% përcakton titullin kampion të Superiores. Do të jetë edhe një sfidë mes trajnerëve të dy skuadrave, Edi Martinit dhe Ilir Dajës, të cilët e kanë të qartë tashmë se çfarë strategjie do të ndjekin në këtë 90-minutësh delikat.

Edi Martini, trajneri i Teutes. Gazeta Si, 16 maj 2021

Trajneri i durrsakëve, Edi Martini, në konferencën për shtyp pohoi mes të tjerash se kjo është ndeshja e karrierës së tij. “Ndaj Partizanit është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime si trajner. Jemi në një pikë, ku duhet të bëjmë çmos që ta mbyllim kampionatin që këtë javë, është një ndeshje shumë e rëndësishme. Mbrojtja më e mirë kundër sulmit më të mire? Di të them se jemi ekipi më i mirë. Nuk do të luajmë në mbrojtje, do të bëjmë lojën tonë, edhe pse një pikë mund të jetë e kënaqshme.

Djemtë mezi po e presin këtë ndeshje, duhet ta fitojmë patjetër. Jemi në krye dhe normalisht që na presin ndeshje të rëndësishme dhe delikate. Janë ndeshje që duhen fituar, jo për të luajtur futboll të bukur. Nga sekonda e parë e deri tek e fundit do të luajmë për fitore. Partizani ka presion më tepër, sepse e do fitoren patjetër, ne luajmë për dy rezultate. Jemi më të uritur për ta marrë këtë kampionat, kemi derdhur shumë djersë dhe kemi bërë shumë sakrifica. Durrësi dhe Teuta e meritojën titullin”, – është shprehur trajneri shkodran.

Ilir Daja, trajner i Partizanit. Gazeta Si, 16 maj 2021

Te rëndësia e ndeshjes së nesërme në “Niko Dovana” e ka vënë theksin edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja. Ai e konsideron shansin e fundit për titullin kampion: “Është një ndeshje, ku luhet gjithçka për gjithçka. Nëse duam t’i kemi gjërat në dorën tonë, është treni i fundit. Luan vendi i parë me të dytin, pozicionohet në këtë vend, sepse ka ditur të menaxhojë shumë mirë deri në këto javë. Është mbrojta më e mirë, por ne kemi sulmin më të mirë.

Do të luftojmë patjetër për të marrë 3-pikëshin, që do të na favorizonte për ndeshjet direkte, duke na pozicionuar më mirë se Teuta. Fakti që Teuta nuk na ka mundur asnjëherë tregon se raportet janë 50 me 50. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe me një mënyrë tjetër të luajturi në Durrës. Nuk kemi dëmtime, jemi ekipi me gjendjen më të mirë.

Po shikoja kalendarin e ndeshjeve në vazhdim dhe nuk mendoj se Teutës i leverdis barazimi, sepse mbas nesh shkon në një transfertë të vështirë në Laç. Edhe ata duan ta fitojnë ndeshjen. Ngarkesa? Çdo njeri në rruzullin tokësor nga ky vit pandemie është i ngarkuar. Situata të tilla ndikojnë edhe te lojtarët, edhe ata njerëz janë. Na gëzon fakti që kemi një gjendje fizike më të mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë