Politike

Basha mbledh kryesinë: Nuk mund të drejtohet gishti tek unë, se ndryshe kalcifikojmë ata që kemi përballë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur kryesinë e partisë, për t’i paraprirë një tjetër mbledhje asaj të Këshillit Kombëtar.

Që në fillim të mbledhjes, Basha ka sqaruar se në PD ka vend për të gjithë, “por ne s’mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve”

”Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 Prillin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 Prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizmit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizmit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë.

Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalcifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore”, është shprehur Basha në mbledhjen më dyer të mbyllura të kryesisë .

“E di që është e vështirë, e di sepse e provoj në lëkurën time përditë këtë përmbysje djallëzore vlerash, pasi jam shënjestra e parë e kësaj fushate denigruese që mbahet në këmbë nga një makineri propagandistike e madhe. Por unë e mbaj peshën e këtyre sulmeve sepse besoj tek Shqipëria dhe sepse besoj që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo për një hajdut tjetër më të madh, apo një ortak më të zotë të bandave dhe mafias”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë